Maqedoni

Regjistrimi i popullsisë në bazë të gjuhës, reagojnë partitë shqiptare, është antikushtetues

14.11.2018 17:41

Partitë opozitare shqiptare kundërshtojnë propozimin e Entit Statistikor për regjistrimin e popullsisë në bazë të gjuhës që flasin....

Nga Aleanca për Shqiptarët do të bëjnë çmos dhe nuk do të lejojnë që një propozim i tillë të hyjë në procedurë parlamentare. Kreu i partisë, Zijadin Sela, konsideron se propozimi është antikushtetues dhe ndihmon rritjen e numrit të popullatës që flet gjuhën maqedonase. 
 
“Paralajmërimet që në grafën e regjistrimit do të ekzistojë vetëm gjuha, ka për qëllim që në mënyrë artificiale të rritet numri i popullsisë e cila flet në gjuhën maqedonase në mënyrë që të fshihen realiteti demografik të cilin e ka Republika e Maqedonisë. Ne si Aleancë për Shqiptarët i bëjmë thirrje edhe subjekteve tjera shqiptare, të cilat janë pjesë e qeverisë, që të kundërshtojnë kategorikisht këtë propozim”,- tha Zijadin Sela nga Aleanca Për Shqiptarët.
 
Në të njëjtën vijë edhe deputeti, Fadil Zendeli, i Besës opozitare. Ai propozon një analizë paraprake.
 
“Do të merret një element që është diskutabil për ta diskutuar çështjen se çfarë gjuhe përdorin familjet brenda tyre. Për mua është një element me shumë dyshime, me shumë pikëpyetje për të cilën kërkohet analizë para se të hyhet në këtë proces, d.m.th. ta mendojmë mirë se çfarë jemi duke zgjidhur”,- u shpreh Fadil Zendeli nga Lëvizja Besa.
 
Nga BDI konsiderojnë se regjistrimit duhet t’i paraprijë reformimi i Entit Statistikor që të rritet besueshmëria e shqiptarëve tek ky institucion.
 
“Fillimisht të reformohet enti statistikor në RM dhe më pastaj në një proces gjithëpërfshirës të zhvillojmë një operacion statistikor i cili në fakt do t’i shërbejë ndërtimit të politikave të qeverisë dhe institucioneve tjera për t’i zbatuar më tutje, jo një proces politik, por një proces të pastër statistikor”,- theksoi Artan Grubi nga BDI.
 
Por, versioni përfundimtar i Ligjit për regjistrim nga qeveria në duart e deputetëve pritet të vijë kah fundi i vitit dhe më pas të miratohet deri në shkurt të vitit të ardhshëm. Regjistrimi i popullsisë pritet të nis më 1 prill të 2020 dhe do të përfshijë pyetjet se cila është gjuha juaj amtare dhe cilën gjuhë e flisni në shtëpi, pa pyetur qytetarin për përkatësinë etnike dhe fetare. 
 
MERAL ISMAILI