Maqedoni

Arratisja e Gruevskit, kuvendi i vazhdon rrogën, por me shkurtime

14.11.2018 17:44

Parlamenti u mblodh në koordinim për të vendosur se çfarë do të ndërmarrë tashmë rreth deputetit të arratisur, Nikolla Gruevski....

Nga koordinimi u mor vendimi që arratisja do të konsiderohet si mungesë pa arsye dhe nëse mungesa vazhdon edhe pas tre seancave radhazi, atëherë Gruevskit do t’i shkurtohet për 5% rroga e deputetit për çdo seancë të radhës ku nuk do të paraqitet.
 
“Në koordinimin e sotëm, edhe pse në mënyrë ligjore i thirrur, edhe kësaj here nuk mori pjesë koordinatori i grupit parlamentar i VMRO-DPMNE-së. Anëtarët e Komisionit njëzëri kanë konstatuar se deputetët, Nikolla Gruevski, do të ulet nga 5 për qind nga paga e tij, pas seancës së tretë në çdo seancë ku ai do të mungojë me mungesë të paarsyeshme”,- thonë nga shërbimet informative të Kuvendit.  
 
Largimi i ish kryeministrit, Nikolla Gruevski, nga vendi, ka hapur dilemat se kush duhet të mbajë përgjegjësi, apo kush e ka ndihmuar atë të arratiset. Opozita shqiptare është e bindur se dikush e ka ndihmuar. Lideri i ASh-së, Zijadin Sela, kërkon dorëheqje të qeverisë në krye me kryeministrin dhe një qeveri ekspertësh deri në zgjedhjet e parakohshme që, sipas tij, duhet të mbahen bashkë me presidencialet. 
 
“Ky është një montim politik klasik, që ka për qëllim të largojë nga përgjegjësia njerëz të cilët sot do të duhet të ishin mbrapa grilave. ASh kërkon urgjentisht që Prokuroria Publike të nisë hetimet në lidhje me aksionin e realizuar për largimin e ish kryeministrit, në mënyrë që të vihen para drejtësisë të gjithë autorët të cilët kanë mundësuar dhe kanë realizuar këtë çështje”,- u shpreh kryetari i ASh-së, Zijadin Sela.
 
“Për mua dilema është se Nikolla Gruevski iku apo u ndihmua të ikte?! Kërkojmë nga Institucionet që të hetojnë rastin dhe të tregojnë se ku dështuan. Pse u lejua, unë kështu e them jo pse iku, por pse u lejua që Nikolla Gruevski sot të jetë në Budapest?”,-  deputeti i Lëvizjes Besa, Fadil Zendeli.
 
Por, BDI i apelon opozitës shqiptare të mos shpifin për përfitime ditore dhe hedhin poshtë çdo përfshirje eventuale në arratisjen e Gruevskit. 
 
“Partitë opozitare shqiptare duhet më në fund ta bëjnë punën e tyre, dhe mos të merren me shpifje të përditshme dhe mos të merren me propagandë e cila në fakt duket e pështirë, që mund ta pjellë një mendje e njeriut. BDI dhe asnjë funksionar i vetëm nuk ka asnjëfarë lidhje me procesin gjyqësor në të cilin akuzohet dhe është dënuar ish kryeministri Gruevski, dhe aq më pak të ketë ndonjë lidhje me ikjen e tij”,- tha deputeti i BDI-së, Artan Grubi.
 
Nikolla Gruevski do të vazhdojë të mbetet deputet i Kuvendit për faktin se të njëjtit nuk i është marrë mandati dhe nuk mund ta zëvendësojë deputeti tjetër i listës së VMRO-së.
 
FITIM KRYEZIU