Maqedoni

Enti i Statistikës dhe UNICEF-i, anketë për gjendjen e fëmijëve dhe grave

15.11.2018 15:52

Enti Shtetëror i Statistikës në bashkëpunim me UNICEF-in dhe UNFPA-në, këtë viken do të fillojnë me anketën për gjendjen e fëmijëve dhe grave....

Ky hulumtim ndërkombëtar do të përfshijë rreth 6 mijë familje, ndërsa realizohet për herë të tretë në vend dhe planifikohet të përfundojë deri në mars të vitit të ardhshëm.
 
“Me këtë hulumtim analizohet gjendja e familjeve në një shoqëri dhe do të kuptojmë se si është gjendja me të ardhurat, varfërinë, qasjen e shëndetësisë dhe arsimit. Po ashtu do të hulumtojmë se si jetojnë dhe edukohen fëmijët, duke bërë dallimin mes zonave rurale dhe urane, apo familjet e varfra dhe të pasura. Ka rreth 60 anketues të cilët janë ndarë në 12 ekipe dhe në muajt e ardhshëm do të vizitojnë rreth 6000 familje”,- tha përfaqësuesi i UNICEF-it, Benxhamin Perks.
 
“Të dhënat janë të një rëndësie të veçantë para së gjithash për vendin, jo vetëm për të ndjekur përparimin, por para së gjithash të shihet gjendja aktuale dhe të merren masa që ato të përmirësohen. Vetë prezantimi i gjendjes nuk ka kurrfarë efekti nëse nuk ndërmerren masa për përmirësimin e tyre”,- tha drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave, Apostoll Simovski.
 
Anketa e fundit e realizuar nga UNICEF-i ka ardhur në konstatim se Maqedonia është vendi i dytë në Ballkanin perëndimor sa i përket ndëshkimit fizik të fëmijëve, ndërsa është shqetësuese edhe vdekshmëria e fëmijëve, apo numri i madh i fëmijëve që jetojnë në varfëri.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI