Qeveria miratoi programin për uljen e ndotjes së ajrit, Makraduli: Ajri i pastër nuk është mision i pamundur

15.11.2018 16:30

Qeveria ka miratuar programin për uljen e ndotjes së ajrit....

Qeveria ka miratuar programin për uljen e ndotjes së ajrit duke e definuar si çështje prioritare. Plani ka për qëllim që në dy vitet e ardhshme të ulë ndotjen e ajrit për 50%, ndërsa në qytetet tjera prej 30 deri në 50%.

Zëvendësministri i ambientit, Jani Makraduli, tha se program parasheh të ndërmerren masa që të kemi ajër të pastër. Analizat tregojnë se lëndët që përdoren për ngrohje nga amvisëritë janë ndotësit më të mëdhenj, theksoi Makraduli, sipas të cilit në planin vjetor janë 10 mijë amvisëri të cilat do të kyçen në operatorin ekzistues të ngrohjes qendrore.                                                 

“Mënyra e financimit të aktiviteteve është nga fondi i veçantë prej 1.5 milion eurosh. Këto mjete janë të veçanta nga ato që ekzistojnë për aktivitete të ndryshme të lidhura me mbrojtjen e ambientit jetësor nëpër ministri të ndryshme në vlerë prej 20 milion eurosh. Do të zgjerohet rrjeti i ngrohjes qendrore. Presim që së shpejti të sjellim vendim që TVSh-ja për ngrohjen qendrore të ulet nga 18 në 5%. Pas dy vitesh nuk do të ketë asnjë familje që ngrohet me qymyr apo naftë. Lidhur me transportin, do të ketë subvencione për furnizim me vetura ekologjike, apo instalim të aparaturës për gaz në automjete. Do të aplikohet regjim dimëror në komunikacion, në ditët kur niveli i ndotjes është i lartë, që ka për qëllim rritjen e shfrytëzimit të transportit publik. Do të stimulojmë përdorimin e biçikletave në pjesën e urbanizmit, gjelbërimin e hapësirave publike”,- deklaroi zëvendësministri i ambientit, Jani Makraduli.  

Makraduli apeloi edhe te qytetarët që të gjithë së bashku të kontribuojmë për ajër më të pastër.            

“Apeloj dhe lus për aksion të përbashkët, për ardhmëri të përbashkët. Besoj se nuk është vonë të veprohet. Askush nuk ka të drejtë pas disa vitesh të thotë se nuk e ka ditur se sa e dëmshme është ndotja. Jam thellë i bindur se ajri i pastër nuk është mision i pamundur, sepse kemi plan të qartë. Nuk janë qytetarët fajtorë, këtu është shteti që t’u ndihmojë që t’i tejkalojnë problemet financiare dhe të gjithë së bashku të kontribuojmë për ajër të pastër”,- u shpreh zëvendësministri i ambientit, Jani Makraduli.  

Makraduli tha se edhe menaxhimi i mbeturinave është gjithashtu faktor i rëndësishëm.

Në të kaluarën është treguar se një pjesë e madhe e plastikës është përdorur për ngrohjen dhe rritjen e vlerës kalorike të drunjve, prandaj është shumë i rëndësishëm ky menaxhim. Ai po ashtu paralajmëroi vendosjen e rrjetës në lumin Vardar dhe aksion për mbledhjen e mbeturinave. (Gyltene Sinani, TVM2)