Maqedoni
Ndihmë japoneze prej 500 mijë eurosh, renovim dhe pajisje për disa klinika
15.11.2018 16:44
Me ndihmë nga qeveria japoneze, me vlerë prej 500 mijë euro, u rinovua Klinika e gjinekologjisë....

Me ndihmë nga qeveria japoneze, me vlerë prej 500 mijë euro, u rinovua Klinika e gjinekologjisë, Kirurgjia digjestive dhe Instituti për sëmundje të mushkërive të fëmijëve në “Kozle”.
“Këtë mëngjes kam vizituar Institutin për sëmundje të mushkërive të fëmijëve në “Kozle” për t’i parë 40 krevatet e fëmijëve dhe tërë kirurgjinë digjestive, klinikën e gjinekologjisë dhe obsterikës, për t’i parë rezultatet e renovimit”,- tha ambasadorja e Japonisë në Maqedoni, Keiko Haneda.
“Këto janë projekte shumë të rëndësishme për ne, sepse ato përmirësojnë ndjeshëm qasjen, por edhe cilësinë e shërbimit që ofrohet. Ne do të vazhdojmë të punojmë për të planifikuar së bashku kapacitetet tona, jo për të dyfishuar aktivitetet tona, që synojnë përmirësimin e kujdesit shëndetësor në vend”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
“Në muajin mars ne kemi nënshkruar 9 kontrata me vlerë prej 500 mijë euro të targetuara mirë në spitalet ku më së shumti ka nevojë edhe ato pa shumë zhurmë u realizuan. Sot ne i kemi këto spitale me pamje krejt ndryshe në funksion të pacientëve dhe mjekëve që janë këtu”,- tha zëvendëskryetari i qeverisë për çështje evropiane, Bujar Osmani.
Japonia që nga pavarësia ka siguruar mbështetje të madhe përmes ndihmës zyrtare për zhvillim në më shumë sektorë të rëndësishëm, kyç për arritje të proceseve tona reformuese dhe qëllimeve strategjike, siç janë shëndetësia, arsimi, zhvillimi i komuniteteve lokale, në shumë prej më shumë se 420 milion eurosh.
REJHAN BUSHI METAJ
