Maqedoni

Vuajtjet e shqiptarëve në një libër, persekutimet dhe burgosjet politike ndër vite

15.11.2018 17:07

“Të persekutuari dhe të burgosurit politikë shqiptarë në Republikën e Maqedonisë”.....

“Të persekutuari dhe të burgosurit politikë shqiptarë në Republikën e Maqedonisë” ishte libri që mbrëmë u promovuar nga Shoqata për kulturë dhe art “Tradita”. Libri ngërthen në vete shumë ngjarje dhe vuajtje të të burgosurve shqiptarë ndër vite.
 
“E risjellim në vëmendjen e lexuesit vrasjen e dyfishtë të Sabedin Gjurës. Reflektimin e vendit tonë të demonstratave të vitit 1981 në Republikën e Kosovës, të kaluarën e shqiptarëve ndër shekuj. Rezistenca e të burgosurve shqiptarë përballë maltretimeve dhe torturave nxjerr në pah veprimtarinë e  lëvizjet patriotike shqiptare”,- tha kryetari i Shoqatës për Kulturë dhe Art “Tradita”, Selam Sulejmani.
 
“Libri është politik, trajton çështje politike, ka përmasa dhe dimensione politike. I përket historisë politike, popullit shqiptar në dyqind vitet e fundit. Shqiptarët gjatë gjithë periudhës 200 vjeçare kishin një qëllim të vetëm, se si të fitojnë lirinë”,- theksoi profesori, Xhelal Zejenili.
 
Libri është promovuar në kuadër të manifestimeve për festat e  nëntorit që organizohen në qytetin e Tetovës. Ai është financuar nga Ministria e Kulturës.
 
VISAR SADIKI