Maqedoni

“Maqedonia Solare”, pengesë ligjet dhe mossubvencionimi

15.11.2018 17:29

Sipas analizave të fundit, Maqedonia ka 0.02 metër katror kolektor diellor për kokë banori, që e radhit të fundit në Evropë për shfrytëzimin e energjisë diellore....

Ekspertët e energjisë diellore dhe kompanitë në vend që merren me sisteme solare, fajin e hedhin tek rregullativa ligjore dhe mjetet e pakta për subvencionim të shfrytëzuesve të energjisë diellore. Për këtë qëllim, Asociacioni për energji diellore “Maqedonia Solare”, në bashkëpunim me USAID-in, promovuan projektin për përmirësim të kapaciteteve dhe njohurive të kompanive rreth energjisë diellore si dhe shfrytëzim të resurseve.
 
“Nuk ka shfrytëzim të energjisë solare askund në botë nëse nuk ka rregullativë ligjore që përkrah rritjen e energjisë diellore. Duhet bërë rishikim i kriteriumeve për subvencione, të cilat janë përparësitë apo mangësitë për t’u furnizuar me repromateriale që importohen nga jashtë për shfrytëzim të energjisë diellore. Duhet bërë dhe një bashkëpunim mes asociacionit për sistem solar në Maqedoni dhe gjithë ekspertëve dhe institucioneve në vend me qëllim që të jenë në rrjedha se çfarë mund të lëviz para nga ky sistem. Kemi 0.02  metër katrorë instalim të kolektorëve diellorë për  kokë banori, ndërsa Austria ka 0.65 metër katror kolektor diellor për kokë banori. Pengesë paraqet rregullativa ligjore si dhe mossubvencionimi”,- thuhet nga Asociacioni për energji diellore “Maqedonia Solare”.
 
Nga Asociacioni për energji diellore “Maqedonia Solare” thonë se vetëm “100 mijë euro është shuma që ofrohet për subvencione për shfrytëzim të energjisë solare në nivel shtetëror.
 
GAZMEND REXHEPI