Maqedoni

Zaev: Po implementohet Marrëveshja me Bullgarinë. Borisov: Implementoni Marrëveshjen e Prespës

15.11.2018 17:50

Marrëveshja me Bullgarinë po implementohet pa asnjë problem, ka vlerësuar kryeministri Zaev pas takimit me homologun e tij bullgar, Bojko Borisov....

Sipas tij, edhe bashkëpunimi ekonomik nuk ka qenë asnjëherë më mirë. Në këtë drejtim do të hapen pika të reja kufitare, do të ndërtohen rrugët hekurudhore dhe infrastruktura e gazifikimit. Maqedonia është e përqendruar në reforma dhe në bashkëpunimin mes popujve, ka shtuar kryeministri Zaev. 
 
“Implementimi i të gjitha pikave po shkon shumë mirë. Bashkëpunimi ekonomik asnjëherë nuk ka qenë më mirë. Arritëm dhe kaluam 500 milion euro, që rriti tregtinë mes vendeve për  12% dhe nuk ndalemi derisa të arrijmë 1 miliard euro nga bashkëpunimi tregtar mes Maqedonisë dhe Bullgarisë”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
 
Edhe kryeministri bullgar Borisov siguroi se dy vendet po bashkëpunojnë në fusha të ndryshme. Ai shprehu përkrahje për Maqedoninë në procesin euroatlantik, ndërsa shpreson në implementimin e tërësishëm të Marrëveshjes së Prespës.
 
“Me bashkëpunimin do t’u dëshmojmë të gjithë kundërshtarëve tanë  që thonë se jemi tërhequr nga historia, se ndodh e kundërta. Të dy shtetet kanë histori të ndara. Shpresoj se fqinjët tanë do të jenë në NATO dhe BE dhe me këtë do të jenë edhe partnerët tanë në këto institucione. Shpresojmë edhe në implementimin e tërësishëm të Marrëveshjes me Greqinë. Së bashku t’u japim mundësi popujve tanë të bëjnë biznes dhe ta zhvillojnë turizmin”,- tha kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov.
 
Këto komente u thanë në Sofje në kuadër të samitit evropian për zhvillim të proceseve inovative ku morën pjesë kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe eurokomisarja për ekonomi digjitale, Marija Gabriel.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU