Maqedoni

Ngjarjet e 27 prillit, publikohen SMS porosi nga telefoni i Mukoskit

15.11.2018 17:55

Ka vazhduar gjatë ditës së sotme seanca gjyqësore për ngjarjet e 27 prillit në të cilën u prezantuan SMS...

Ka vazhduar gjatë ditës së sotme seanca gjyqësore për ngjarjet e 27 prillit në të cilën u prezantuan SMS dhe viber porositë nga telefoni i deputetit, Kërsto Mukoski, që i ka shkëmbyer me persona të tjerë gjatë ditës kur ka ndodhur hyrja e dhunshme në kuvend.
 
Nga porositë mund të shihet se Mukoski bashkë me deputetët, Johan Tarçullovski, Vasill Pishev, ish ministrat, Mile Janakieski dhe Spiro Ristovski, si dhe dhjetëra persona të tjerë, në mesin e të cilëve janë edhe funksionarë nga VMRO-DPMNE, përfshirë kryetarin e forumit rinor të partisë, Vlladimir Nellkoski, dhe kryetarin e Unionit të Grave, Daniella Rangellova, kanë marrë pjesë në grupin e formuar në viber, ku është bërë organizimi i qytetarëve në natën e sulmit në Kuvend.
 
Komunikimi në viber ka filluar në orën 17:48, ku Cvetan Tripunovski shkruan “çka ndodh në sallën e kuvendit?”, ndërsa Johan Tarçullovski përgjigjet “mbrohet Maqedonia”, “Nuk ka kthim prapa”. Ndërsa disa orë më vonë, gjegjësisht në orën 20:36, kur turma veç më ka hyrë në Kuvend, një bashkëbisedues në grupin në viber deputetit Mukoski i shkruan “Zoki duhej deri tani të jetë në një vend tjetër... por për këtë tjetër herë”.
 
Në grupin e viber, ku anëtarë ishin deputetë dhe zyrtarë të VMRO-DPMNE-së, përmes të cilit janë organizuar njerëzit për të ngjarjet e 27 prillit, personi i regjistruar si “Koleshka Çair” në telefonin e deputetit, Krsto Mukoski, në orën 18:14 shkruan: “Dhashtë Zoti të hyjmë, t’i rrahim, ihaaaa. Nga ora 13:30 po presim”. Ndërsa një minutë më vonë i njëjti person shkruan: “Sheqerkën ma leni mua, djema hapni dyert”.
 
Në gjykatë u prezantuan edhe porositë nga telefoni i Vesel Memedit. Ai ka marrë porosi “A jeni të sigurt brenda?”, Dashtë zoti kjo punë të kalojë pa probleme”, pastaj “Nëse duhet të organizohen të vijnë në Shkup dhe a ka nevojë ta shpëtojnë?”. Ai u përgjigjet se është në vend të sigurt dhe nuk ka nevojë të vijnë, por se situata tregon që është e keqe.
 
Tërë kohën derisa kanë zgjatur bisedat, Mile Janakieski në grup ka ftuar që sa më shumë qytetarë të vijnë drejt Kuvendit. Ndryshe, Prokuroria të akuzuarit i akuzon për kryerjen e veprës penale “rrezikim terrorist të rendit kushtetues”, ndërkaq pala mbrojtëse thotë se nuk ekzistojnë dëshmi për të njëjtën.
 
ZEKIRIJA MEXHITI