Maqedoni

Sesion pune kushtuar kapitullit 23, Figel: Vendet e përgatitura do të kenë sukses

15.11.2018 18:00

Suksesi në negociata me BE-në mund të arrihet vetëm me punë dhe duke shfrytëzuar kohën maksimalisht për t’u përgatitur....

Kështu porositi is-komisioneri evropian, Jan Figel, gjatë një sesioni pune kushtuar kapitullit 23 nga dialogu paraqasës i Maqedonisë me BE-në. Figel, i cili ka udhëhequr procesin e negocimit gjatë anëtarësimit të Sllovakisë në BE, gjithashtu nënvizoi rëndësinë e zbatimit të ligjeve.
 
“Vendet e përgatitura do të kenë sukses. Duhet të punoni me njerëzit, me opinionin publik, me shoqërinë civile, me unionet tregtare, institucionet fetare, mediat. Reformat e bëjnë vendin më kompatibil me BE-në, andaj mos prisni derisa negociatat të fillojnë. Ju duhet vlerësim pozitiv këtë pranverë. Më e rëndësishmja në këtë proces është zbatimi, sepse vendimet qeveritare, ligjet parlamentare janë shumë më të shpejta, por zbatimi kërkon shumë energji dhe kohë”,- tha ish-komisioneri evropian, Jan Figel.
 
Ndërkohë, Simonida Kaçarska, nga Instituti për Politikë Evropianë vëri në dukje përvojat e vendeve fqinje që kanë hapur këto kapituj. Sipas saj, kontinuiteti i ekipeve në negociata dhe bartja e memorisë institucionale ka shumë rëndësi në proces.
 
“Nëse i shohim përvojat e Serbisë dhe Malit të Zi dhe mënyrën se si i gjithë procesi është më i detajuar, proces që fillimisht përfshin analizë të verifikimit sqarues, në të cilin jemi për momentin, mandej plan aksionar për hapje të kapitullit, rekomandime për hapje të kapitullit dhe derisa të vijmë në pikën e hapjes së kapitullit, në rastin tonë më të mirë, kjo do të ndodhë në fund të vitit 2021”,- theksoi Simonida Kaçarska nga Instituti për Politikë Evropiane.
 
Maqedonia ka filluar procesin e skriningut me BE-në. Kapitulli 23 ka të bëjë me drejtësinë dhe të drejtat themelore.  
 
NAIM RAMADANI