Maqedoni
Financimi i partive, Zhbogar: Duhet më shumë transparencë; Xhaferi: Revizioni është gardian i parave publike
15.11.2018 18:05
Ndryshimet e planifikuara në Ligjin për financimin e partive rrisin mundësinë për të kontrolluar burimet financiare.....

Ndryshimet e planifikuara në Ligjin për financimin e partive rrisin mundësinë për të kontrolluar burimet financiare të subjekteve politike dhe konsiderohen si avancim nga ana e institucioneve europiane, por transparenca në financimin e partive dhe demokratizimi i brendshëm ende lë për të dëshiruar. Sipas euroambasadorit, Samuel Zhbogar, donacionet e parregulluara i bëjnë partitë politike instrumente të donatorëve dhe në vend të interesave të qytetarëve ata fillojnë prezantojnë interesat e donatorëve.
“Këto janë arritje të rëndësishme por përsëri transparenca financiare, si demokracia e brendshme e partive, duhet të përmirësohet edhe më tej. Disa probleme janë identifikuar nga vëzhguesit e OSBE/ODIHR gjatë fushatës së referendumit dhe kjo përfshin nevojën për kufizim të shpenzimeve dhe kërkesa të qarta për demaskim të procedurave të ODIHR-së dhe sanksioneve për financimin e fushatës së referendumit dhe duhet të bëhet reflektim nga partitë politike dhe palët e tjera të përfshira duhet të mbajnë përgjegjësi për organizimin e fushatës së referendumit”,- tha ambasadori i BE-së, Samuel Zhbogar.
Me ndryshimet në ligjin e ri, partitë do të marrin më shumë para nga buxheti, ndërsa kontrollin se si shpenzohen paratë e qytetarëve do ta bëjë Enti Shtetëror i Revizionit. Kryeparlamentari Xhaferi tregoi gatishmëri për bashkëpunim më të madh me këtë trup dhe inkurajoi Entin që të vazhdojë përpjekjet për pavarësim të plotë dhe ngritje profesionale.
“Financimi i partive politike dhe fushatave zgjedhore është çështje e cila i prek edhe shtetet demokratike lartë të zhvilluara me institucione funksionale për arsye se edhe ato nuk janë imunë ndaj mundësisë për keqpërdorimin e mjeteve shtetërore dhe mjeteve nga burimet tjera, dhe pikërisht për këtë arsye janë objekt i kontrollit permanent nga ana e institucioneve revizore të cilat gëzojnë besim dhe autoritet të madh në botë por edhe te ne, për shkak se u dëshmuan si tejet efikas dhe unë kisha thënë edhe gardianë të vërtetë të parave tona, gjegjësisht parave të qytetarëve që në këtë apo në atë mënyrë hyjnë në mënyrë legale në arkën shtetërore”,- tha kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
Enti Shtetëror i Revizionit prezantoi rezultatet e analizës së rregullativës për financimin e partive politike dhe fushatave zgjedhore, në kuadër të Projektit Tvining për "Përforcimin e mëtutjeshëm të kapaciteteve dhe efikasitetit të Entit Shtetëror të Revizionit për kryerjen e revizionit të jashtëm".
SHPËTIM NUREDINI
