Maqedoni

Ikja e Gruevskit, prokuroria nis hetimet ndaj disa zyrtarëve

15.11.2018 18:17

Prokuroria Themelore Publike nis procedurën parahetimore për ikjen e Nikolla Gruevskit në Hungari....

Sipas Prokurorisë, hetimet kanë nisur pasi janë shfaqur dyshime se disa persona zyrtarë, duke keqpërdorur detyrën zyrtare, kanë ndihmuar të dënuarin Gruevski që ilegalisht të lëshojë Maqedoninë. Lënda i është dhënë prokurorit kompetent dhe janë dhënë urdhra për grumbullimin e të dhënave që kanë lidhje me arratisjen.
 
Ndërkohë, nuk kanë munguar akuzat ndërpartiake VMRO - LSDM se kush e ndihmoi ikjen e Gruevskit. Sipas VMRO-së, përgjegjësinë për arratisjen duhet ta mbart pushteti, Zoran Zaev dhe Oliver Spasovski, ndërkaq kanë kërkuar edhe dorëheqjen e tyre.
 
“Gruevski është njeriu të cilin ata me vite e trajtonin si kundërshtarë shtetëror numër një dhe tani dëshirojnë të thonë se nuk dinë ku ka qenë, lëvizur dhe si u ka ikur. Po e keqpërdorin ikjen, po mbulojnë debaklin e tyre duke drejtuar gishtin kah VMRO-DPMNE”,- tha zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoillkovski.
 
Nga LSDM kërkojnë që Mickovski të përgjigjet se cili ka qenë roli I tij në ikjen e Gruevskit. Sipas informacioneve të partisë, Mickovski në pjesën e dytë të tetorit ka vizituar Budapestin dhe Beogradin.
 
“Me kë është takuar gjatë vizitave në Budapest dhe Beograd, për çka është dakorduar, a do të thotë se bashkë me Gruevskin e kanë përgatitur planin për ikje? Mickovski para qytetarëve duhet të përgjigjet për dyshimet ndaj aktiviteteve të tij në periudhën e kaluar. Ai dyshohet për arratisjen e Gruevskit”,- theksoi zëdhënësi i LSDM-së, Kostadin Kostadinov.
 
LSDM kërkon nga institucionet që të hulumtojnë të gjitha informacionet për ikjen e Gruevskit ditë më parë në Budapest të Hungarisë.
 
MERAL ISMAILI