Maqedoni
Viktimat e Vukovarit, para 27 vitesh u vranë 3600 persona
15.11.2018 18:21
Në vitin 1991, 27 vite më parë, forcat serbe u futën në qytetin e Vukovarit në Kroaci....

Arsenali më i fuqishëm ishte përqendruar në këtë fushëbetejë buzë Danubit duke e kthyer në qytetin e tmerrit. Pas këtyre ngjarjeve, lufta në Kroaci dhe në tërë ish-Jugosllavinë mori forcë. Mbi 3600 viktima në një qytet të vogël, apo 10 për qind e popullsisë, pjesa dërrmuese ishin gra dhe fëmijë.
Kroatët e shënojnë këtë si ngjarje të rënies së Vukovarit dhe nderim për viktimat e rëna. Të mbijetuarit e kësaj beteje tregojnë për të afërmit që pësuan në këtë betejë.
“Unë i kam pasur dy vjet, nuk di asgjë. Por babanë tim e kanë vrarë si dhe një pjesë të familjes time”,- tha Bujamin Sulejmani.
“Unë jam nëna e Lubçes, i cili ka humbur jetën pa i mbushur të 19-tat. Dy muaj nuk kam ditur asgjë për vendndodhjen e djalit tim. 27 vjet e njëjta dhimbje, nuk zvogëlohet, por akoma rritet dhimbja dhe malli për djalin tim”,- tha Lubinka Vasilova.
Edhe në Maqedoni u përkujtuan ushtarët të cilët humbën jetën në këtë ngjarje. Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë shpalli fajtorë dy oficerë të Ushtrisë Popullore Jugosllave për krime lufte në Vukovar, koloneli Mile Mrksiç, i cili u dënua me 20 vjet burg dhe majori Veselin Sljivancanin, i cili u dënua me 10 vjet burg. Mrksiç vdiq para tre vitesh.
Sipas vendimit të gjykatës së OKB-së, Mrksiç vendosi të tërhiqte oficerët dhe ushtarët e Ushtrisë Popullore Jugosllave, që po ruanin të burgosurit e luftës në Ovcara më 20 nëntor 1991, duke bërë të mundur që Forcat e Mbrojtjes Territoriale dhe ato paraushtarake të kryenin vrasje të shumta.
Dyqind e gjashtëdhjetë persona - civilë dhe të burgosur lufte jo-serbe, u ekzekutuan në Ovcara, i cili u bë varri më i madh masiv i luftës në Kroaci. Për krime të kryera në Vukovar, zyra e prokurorit e shtetit në Kroaci ka nisur procedura penale ndaj 1,203 personave dhe 181 persona janë dënuar.
FARIJE DAUTI BAKIJU
