Maqedoni

Ikja e Gruevskit në Hungari. Si u arratis dhe cili do të jetë fati i tij?

15.11.2018 16:55

Largimi i ish kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevskit, nga Maqedonia, vazhdon të bëjë bujë të madhe si në vend ashtu edhe tek opinioni ndërkombëtar...

Emri i Nikolla Gruevskit vazhdon të lakohet që nga ShBA deri në opinionin këtu në Ballkan. 
 
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë reaguar përmes Stej Departamentit Amerikan të cilët kanë pohuar për Politico.eu, se Gruevski, i cili ka kërkuar azil politik në Hungari, duhet të vuajë dënimin me burg në vendin e tij.
 
“Gruevski ka qenë i dënuar nga Gjykata e Maqedonisë me një proces të drejtë dhe transparent për keqpërdorimet e detyrës zyrtare me dy vjet burg. Dënimi është konfirmuar dhe nga instanca të tjera gjyqësore. Gruevski është i akuzuar edhe në katër lëndë të tjera penale. Ne vlerësojmë se proceset gjyqësore në Maqedoni duhet të vazhdojnë, ndërsa Nikolla Gruevski duhet të përgjigjet para sistemit gjyqësor të Maqedonisë”, kanë deklaruar nga DASh.
 
Nga ana tjetër, jo pak interesim ka ngritur edhe procedura e largimit të tij nga Maqedonia, ku sot mediat serbe kanë dalë me opinion se Nikolla Gruevski është larguar nga Maqedonia për në Hungari përmes Tiranës, ndërsa deri në kryeqytetin shqiptar ka arritur me pasaportë false, më pas është strehuar në Ambasadën hungareze në Tiranë për një natë dhe në ditën tjetër është nisur me aeroplan nga Rinasi për në Budapest. 
 
Në këtë raportim thuhet se Gruevski nga Tirana ishte larguar me aeroplanin e linjës “Malev”, kompani ajrore që ka falimentuar dhe nuk i mban këto fluturime që nga janari i vitit 2012.
 
Ambasada hungareze në Tiranë, e kontaktuar nga Top Channel, as nuk pohoi dhe as nuk demantoi pohimet e tilla të mediave rajonale, por u mjaftua me një përgjigje të thatë se “nuk komentojnë për procese që janë në zhvillim e sipër”, duke iu referuar faktit se kërkesa për azil e Gruevskit po shqyrtohet nga Budapesti. Pikërisht për procedurën e azilkërkimit të Nikolla Gruevskit në Hungari nuk ka dashur të flasë as kryeministri hungarez, Viktor Orban, i cili mediat hungareze i drejtoi tek avokatët për shpjegime.  
 
“Kjo është pyetje për gjyqësorin, përgjigjen kërkoheni tek avokatët”,- tha kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban.
 
Shumë më i qartë në deklarimin e tij ishte shefi i kabinetit të tij, Gergeli Gulijash, i cili pohoi se Gruevski kërkesën për azil e kishte bërë para se të vijë në Hungari. 
 
“Ish kryeministri maqedonas ka dhënë një deklaratë të gjatë në Budapest, siç e dini, për shkaqe sigurie, ai kërkesën për azil e ka dërguar përmes Sektorit për emigrim dhe azil në Budapest, në vend të qendrës për transit. Ne nuk e dimë se si ka arritur në Hungari, përmes rrugës ajrore apo rrugës tokësore. Ne si Hungari nuk kemi marrë asnjë kërkesë për ekstradim nga Maqedonia”,- tha shefi i kabinetit i Viktor Urbanit, Gergeli Gulijash.
 
Sipas informacioneve të fundit nga Brukseli, Gruevski ka kërkuar azil në Hungari vetëm sa për ta shfrytëzuar 60 ditëshin që i jep Ligji për t’u mbrojtur, por ai nuk planifikon të qëndrojë gjatë kohë atje, sepse Hungaria do ta ketë të pamundur ta mbajë gjatë kohë, sepse presioni i Brukselit dhe i shteteve të BE-së ndaj Hungarisë është i madh, prandaj, sipas këtyre informacioneve, Gruevski azilin e ka më të afërt në shtetet jashtë BE-së, edhe atë në Turqi, ku Gruevski është mik i afërt i Erdoganit, dhe në Rusi, ku Gruevski tradicionalisht ka pasur afërsi me politikën ruse.
 
Të njëjtat informacione po ashtu kanë pohuar se Gruevski është larguar nga Maqedonia të shtunën në mbrëmje përmes një veture zyrtare nga Tabanovci, ku është ndalur në një hotel luksoz në Beograd për t’i mbaruar procedurat e azilit dhe më pas ka vazhduar udhëtimin e tij drejtë Budapestit. 
 
Kryeministri hungarez, Orban, siç citohet në analizën e BGNES bullgare, është politikani i vetëm i huaj i cili erdhi personalisht në Maqedoni që të takohet me Gruevskin prej se ai vitin e kaluar mbeti pa pasaportë.
 
“Orban zbriti me aeroplanin e tij privat në Ohër dhe me Gruevskin biseduan disa orë në mbrëmjen para zgjedhjeve lokale të cilat VMRO-ja i humbi në mënyrë katastrofale. Sipas shpalljeve të ndryshme, atëherë Orban i ka premtuar strehim dhe mbrojtje Gruevskit”,- thuhet nga BGNES.
 
Autoritetet në Budapest potencojnë se Orban dhe Gruevski kanë qenë shumë të afërt edhe gjatë krizës së madhe të refugjatëve gjatë viteve 2015-2016, madje vetë Orban në biseda personale me politikanë të ndryshëm e quante Gruevskin “djali ynë”. 
 
Në ndërkohë, në mediat hungareze shkruan se Nikolla Gruevski është duke qëndruar në Vilën private të kryeministrit Orban, ndërsa disa media të tjera hungareze, duke u thirrur në burime të sigurta, thonë se Gruevski po qëndron në hotelin “Corinthia” të kryeqytetit hungarez.
 
Dy ministrat e jashtëm të Maqedonisë dhe Hungarisë kanë zhvilluar një bisedë telefonike për ekstradimin e ish kryeministrit, Nikolla Gruevski. Mediat hungareze shkruajnë se gjatë telefonatës, ministri i jashtëm, Nikolla Dimitrov, i tha homologut të tij, Peter Sijártó, se kërkesa e Gruevski për statusin e refugjatit nuk është çështje politike, por ligjore.
 
Kabineti i kryeministrit hungarez, Viktor Orban, dje konfirmoi se Gruevski ka dorëzuar kërkesë për azil.
 
“Me faktin se 10 vite ishte shembull, për shkak të arsyeve të sigurisë, autoritetet hungareze lejuan që Nikolla Gruevski kërkesën për azil ta dorëzojë dhe të dëgjohet në Zyrën për emigrantë dhe azil në Budapest”,- kanë thënë nga kabineti i Orbanit, duke shtuar se vazhdon mbështetja hungareze për Maqedoninë, që, siç thuhet, “është partner strategjik dhe aleat i Hungarisë”.
 
Megjithatë, autoritetet hungareze kanë një afat 60-ditor në përputhje me të drejtën ndërkombëtare për të shqyrtuar kërkesën për azil të ish kryeministrit që qeverisi Maqedoninë për rreth 1 dekadë. 
 
Partitë opozitare hungareze i kanë bërë thirrje qeverisë të arrestojë dhe ekstradojë sa më shpejt ish kryeministrin maqedonas. Sipas tyre, kërkesa për azil është një skandal.
 
Në ndërkohë me reagim ka dalë edhe Ministria e Drejtësisë e Bullgarisë, e cila ka demantuar informacionet se Nikolla Gruevski posedon pasaportë bullgare.  
 
FITIM KRYEZIU