Propozim buxheti 2019, Zaev: Kthesë në politikat ekonomike
Viti 2019 do të jetë vit ekonomik ku paratë e qytetarëve më së shumti do të shfrytëzohen për nevojat e qytetarëve....

Viti 2019 do të jetë vit ekonomik ku paratë e qytetarëve më së shumti do të shfrytëzohen për nevojat e qytetarëve nga të gjitha kategoritë, tha kryeministri i vendit, Zoran Zaev, në prezantimin e propozim buxhetit për vitin 2019.
Sipas Zaevit, buxheti në vlerë të 3.7 miliard eurove është historik për shkak se është më i larti që ka pasur Maqedonia deri tani. Zaev premton rritje të rrogave në sektorin publik si dhe punësime të reja në atë privat. Rroga mesatare do të vazhdojë të rritet në 4,5%, në baza nominale, planifikohet të ketë rritje të numrit të punësimeve të reja për 2.1% , gjë qe do të kontribuojë që shkalla e papunësisë të zvogëlohet dhe të arrijë në rreth 20%.
“Promovuam heqjen e tatimeve, bëmë reforma në shtyllën e fondit pensional si dhe rritjen e mirëqenies sociale. Me ndryshimet buxhetore paralajmërojmë kthesë në politikat ekonomike. Fokusin e fuqishëm të integrimeve euroatlantike e përforcojmë përmes buxhetit për rritje ekonomike, për drejtësi sociale, për shërbime më të mira shëndetësore, për jetesë më të mirë për të gjithë qytetarët e vendit”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
TEVDOVSKI: STABILIZOJMË BORXHIN PUBLIK
Ministri i financave, Dragan Tevdovski, tha se buxheti për vitin e ardhshëm është projektuar që të sigurojë stabilitetin makro ekonomik, i cili më pas do të konsolidojë edhe stabilitetin fiskal.
“Ajo që po e punojmë në periudhë një vit e gjysmë është stabilizimi i borxhit publik. Atë e bëjmë duke e ulur deficitin buxhetor në mënyrë të përshkallëzuar. Ju e shihni se në buxhet, deficiti buxhetor përsëri është ulur dhe tani është në vlerë të 2.5% nga BPV. Në buxhetet paraprake ishte 3.0, pastaj 2.7 dhe tani 2.5%”,- tha ministri i financave, Dragan Tevdovski.
Tevdovski paralajmëroi projekte investuese për infrastrukturën hekurudhore dhe atë energjetike, si dhe investime në bujqësi, duke mos harruar të përmendë edhe mjetet në buxhet të ndara për parandalimin e ndotjes së ajrit.
Buxheti i vitit 2019 është i projektuar për rritje prej 3.2% të PBV-së. Të hyrat publike janë projektuar në 210.8 miliardë denarë, kurse shpenzimet e përgjithshme në 228.5 miliardë denarë. (Ersan Pajaziti, TVM2)
