Maqedoni
Rikonstruimi i Teatrit Shqiptar në Shkup, Ministria e Kulturës: Asnjë akuzë ndaj Teatrit Shqiptar
16.11.2018 18:11
Ministria e Kulturës publikoi analizën e detajuar për realizimin e rikonstruktimit të objektit të Teatrit Shqiptar - Shkup....

Grupi i punës i themeluar më 31 korrik të këtij viti nga Ministria e Kulturës, i ka kontrolluar të gjitha dokumentacionet në këtë objekt nga viti 2012 e deri më sot. Në analizën e publikuar dhe të hulumtuar nga dr. Sllagjana Taseva – koordinatore, dhe avokati, Fidan Dimitrov, nuk ka asnjë akuzë ndaj punës së Teatrit Shqiptar. Anita Latifi, - përfaqësuese për marrëdhëniet me publikun në Teatrin Shqiptar, - tha se tentativat për të hedhur baltë mbi këtë institucion janë të pabaza dhe vijnë nga qarqe të caktuara.
“Jemi shumë të kënaqur dhe drejtori e pranoi me shumë kënaqësi këtë vendim të ministrit, sepse ishte e nevojshme që dikush njëherë e përgjithmonë të bëjë një analizë të detajuar me atë se çfarë ka ndodhur me objektin e Teatrit Shqiptar dhe të pastrohen disa mjegulla të cilat tentohen t’i servohen opinionit. Është një analizë e kristalizuar e çdo dokumenti që ka hyrë dhe ka dalë në Teatrin Shqiptar dhe që ka të bëjë me objektin”,- u shpreh përgjegjësja për marrëdhënie me publikun në Teatrin Shqiptar, Anita Latifi.
Latifi shpreson që edhe organet tjera të cilat duan të dinë më shumë rreth këtij objekti, do të qasen në mënyrë profesionale. Sipas saj, punimet në objektin e teatrit pritet të përfundojnë në muajin dhjetor, ndërsa në janarin e vitit të ardhshëm do të bëhen analizat e pajisjeve dhe me këtë rast do të fillojë funksionimi i kësaj qendre teatrore.
FARIJE DAUTI BAKIJU
