Manastir, Meta vizitë për 110 vjetorin e Kongresit të Alfabetit
Në 110 vjetorin e mbajtjes së Kongresit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe, presidenti i Shqipërisë Ilir Meta....

Në 110 vjetorin e mbajtjes së Kongresit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe, presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ishte këtë të shtunë në Manastir, ku shpërndau në mënyrë simbolike 110 abetare për fëmijët shqiptarë. Gjatë fjalës së tij, Meta tha se sheh ndryshime pozitive që nga viti i kaluar, ndërsa foli për rëndësinë e madhe që pati Kongresi i Manastirit për shqiptarët, përfshirë edhe shpalljen e pavarësisë.
“Udha e shkronjave tona për të mbërritur deri këtu, në Kongresin që u mbajt 110 vite më parë, ka qenë një udhë mjaft e gjatë, mjaft e vështirë, mjaft e përgjakshme në emër të mbijetesës dhe të ruajtjes së kombit, duke ruajtur e duke mbrojtur gjuhën e nënës dhe gjuhën e kombit tonë. Jam sot këtu që të shpreh mirënjohjen për punën që bëhet për pasurimin e këtij muzeu dhe unë shikoj dallime të rëndësishme nga vjet. Dua të falënderoj shqiptarët dhe autoritetet në Maqedoni! Pa Kongresin e Manastirit, pa standardizimin e alfabetit tonë të përbashkët, pa bashkimin e të gjithë shqiptarëve rreth këtij alfabeti, do të kishte qenë e vështirë shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë katër vite më vonë në Vlorë në vitin 1912-të” – tha presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.
Presidenti Ilir Meta foli edhe për marrëveshjen me emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë, si dhe për të ardhmen e integrimit drejt familjes europiane.
“Ne shpresojmë që të përfundojë shumë shpejt edhe çështja e marrëveshjes për emrin e Maqedonisë, e marrëveshjes me Greqinë, dhe Maqedonia të jetë anëtare e NATO-s dhe së bashku me Shqipërinë të çelin negociatat vitin e ardhshëm për anëtarësim në Bashkimin Europian” – deklaroi Meta.
Më pas Presidenti Meta mori pjesë në përurimin e ekspozitave “Art i Gjilpërave” nga Zeqir Mehmeti dhe studentët e Fakultetit Filozofik të Prishtinës; në shpalosjen e “Kongresit të Manastirit - 110 vite nga Alfabeti që na bashkoi”. (Luljeta Ndoka, TVM2)
