Botë

Meksikë, protesta anti-emigrantëve në Tijuana

19.11.2018 09:23

Qindra banorë të qytetit meksikan të Tijuanës, në kufi me ShBA-të, bllokuan rrugët në shenjë proteste ndaj ardhjes....

Qindra banorë të qytetit meksikan të Tijuanës, në kufi me ShBA-të, bllokuan rrugët në shenjë proteste ndaj ardhjes së mijëra emigrantëve që po tentojnë të hyjnë në Amerikë. Rezidentët lokalë u kanë bërë thirrje emigrantëve të largohen nga Tijuana për në Kaliforninë jugore. “Ata janë pushtues, janë të armatosur. Duhet të ikin nga vendi ynë”,- thërrisnin protestuesit.
 
“Kemi problem me faktin se si ata arritën të kalojnë në kufijtë tanë. Në Chiapas ata thjesht u lejuan të kalojnë nga autoritetet e migrimit. Ku janë këto autoritetet tani që migrantët po na shkaktojnë problem”,- tha David Solano - Banor i Tijuanës.
 
Vetë emigranët nuk i shohin këto protesta si qëndrim i qytetarëve të Meksikës kundër tyre, madje i qetësojnë protestuesit se vetëm po kalojnë e nuk kanë ndërmend të qëndrojnë në Meksikë. 
 
“Ata kanë të drejtë të protestojnë sepse nuk i pëlqen që ne jemi këtu, por meksikanët në përgjithësi janë njerëz të mirë. Janë njësoj si ne. Ne thjesht po kalojmë, nuk kemi ndërmend të qëndrojmë në Meksikë”,- theksoi emigrante nga Hodurasi, Karina Rosales. 
 
Meksika pret që numri i emigrantëve të mbërrijë deri në 10 mijë dhe vendi nuk është i përgatitur për të menaxhuar një “ortek” të tillë human. Strehimoret e qytetit janë tejmbushur. Edhe presidenti amerikan, Donald Trump, tha të dielën se as ShBA-të nuk janë të përgatitura për këtë dyndje emigrantësh që e cilësoi si pushtim. “Nuk do t’i pranojmë. Ata janë duke kryer krime dhe duke shkaktuar probleme të mëdha në Meksikë. Kthehuni në shtëpi!”, porositi Trump.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI