Maqedoni
Mançevski për inspektorët: Jo mbushës të buxhetit, por kontrollorë të ligjit
19.11.2018 15:01
Propozim ligji për mbikëqyrje nga ana e inspektorëve ka hyrë në debat publik....

Ministri Mançevski thotë se ndryshimet do të lehtësojnë ndjeshëm presionin e vazhdueshëm që inspektorët bëjnë mbi ndërmarrjet dhe individët. Tani do të ketë masa paralajmëruese, edhe dënimet sigurisht që mbeten në fuqi, por në varësi të madhësisë së kompanisë.
“Mbikëqyrja nga ana e inspektorëve nuk mund të jetë më mjet për të mbushur buxhetin e shtetit. Ai duhet të ketë rol këshillëdhënës dhe edukues, subjektet fillimisht duhet të paralajmërohen e të kenë një afat për të mënjanuar problemin eventual e më pas të dënohen. Vetëm në këtë mënyrë inspektimi nuk do të konsiderohet si represion”,- theksoi ministri i shoqërisë informative dhe administratës, Damjan Mançevski.
Këshilli i inspektorëve ankohet për mungesë kuadri. Gjendja pritet të rëndohet, pasi deri në 2021 shumica e inspektorëve do të dalin në pension.
“1 e 5 e numrit të përgjithshëm të inspektorëve deri në vitin 2021 do të pensionohen. Akoma nuk dimë saktë se sa persona duhet të angazhohen, por mund të konstatojmë se vërtet kemi mungesë të kuadrit. Paga e inspektorëve është e njëjtë me atë të një administratori të zakonshëm, pra shkon deri më 23 mijë denarë. Do të duhet në këtë pjesë të ketë rritje për të gjithë kategoritë të cilat do të jenë të përballuara me rreziqe të ndryshe gjatë punës së tyre”,- u shpreh drejtoresha e Këshillit të Inspektorëve, Magdalena Filipovska Grashkovska.
Për të parandaluar korrupsionin në punën e inspektorëve parashihen edhe bonuse në rrogë. Gjithashtu edhe koncepti i ri i planifikimit, pra nuk do të ketë më inspektime të shpeshta vetëm në disa subjekte të caktuara në një periudhë të shkurtër kohore. Subjektet që respektojnë ligjet do të kenë më pak kontrolle.
FITIM KRYEZIU
