OJQ-të me peticion: Zero tolerancë për ndotjen e ajrit, rrezikon jetën
Shoqata për inovacione sociale “Radar”, Ambasada e fëmijëve Megjashi....

Shoqata për inovacione sociale “Radar”, Ambasada e fëmijëve Megjashi, gazetarët për të drejtat e njeriut dhe Instituti i gjelbër, në Ditën Botërore të Tolerancës dolën me peticion për “Zero tolerancë ndaj ndotjes së ajrit që rrezikon jetën e njerëzve”. Ata kërkojnë që peticioni të nënshkruhet nga të gjithë qytetarët, duke përkujtuar njëkohësisht qeverinë të respektojë të drejtën bazë të njeriut, atë për jetë, pra për ajër të pastër.
Kërkojnë masa konkrete urgjente për uljen e ndotjes. Autobusë pa pagesë tre muajt e ardhshëm dhe kontrolle 24 orëshe nga Inspektorati mjedisor.
“Në Buxhetin për vitin 2019 qeveria ka ndarë 21.5 milion euro, pra rreth 0.6% për zvogëlimin e ndotjes së ajrit. Nëse qeveria thotë se zvogëlimi i ndotjes është prioritet i saj strategjik, duhet të shtojë buxhetin për masa preventive e të marrë masa urgjente derisa të realizohen masat afatmesme e afatgjata. Edhe inspektorët nuk duhet të paralajmërojnë por t’i mbyllin urgjentisht subjektet që ndotin ajrin”,- theksoi Gordana Nesterovska nga “Radar”.
“Ka ardhur koha të gjejmë ndonjë avokat e të ngremë padi kundër shtetit, sepse bëhet fjalë për jetën tonë. Nëse gjykatat në Maqedoni japin zgjidhje për këtë çështje, jemi të kënaqur, në të kundërtën do të ngremë padi në gjykatat ndërkombëtare. Ministria e Ekologjisë dhe institucionet duhet të respektojnë konventat dhe rezolutat që vetë i kanë nënshkruar”,- u shpreh Dragi Zmijanac nga Megjashi.
NDOTJA E AJRIT, VMRO: KYÇËN MATËSIT TË MOS DIMË SA ËSHTË NDOTJA
Edhe VMRO-DPMNE kërkon debat publik për masat urgjente që duhen ndërmarrë për zvogëlimin e ndotjes së ajrit, sipas tyre, që ka arritur në shifra rekord.
“Qeveria aktuale, derisa ishte në opozitë, premtonte shumë masa për zvogëlimin e ndotjes, por deri tani asgjë nuk është ndërmarrë. Madje po kyçen edhe stacionet matëse që të mos shihet se sa i ndotur është ajri. Kërkojmë debat publik në kuvend me pjesëmarrjen edhe të organizatave joqeveritare”,- tha koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski.
LSDM: MASA TË SHTUARA KUNDËR NDOTJES
LSDM-ja vlerëson se të gjitha institucionet shtetërore po luftojnë kundër ndotjes. Akuzojnë opozitën se gjatë qeverisjes së tyre kanë blerë vetëm makina të shtrenjta pa menduar për ndotjen.
“Kriminelët e udhëheqësisë së VMRO-së kanë harxhuar paratë e qytetarëve për të blerë Mercedes afërsisht 600 mijë euro, për t’i kënaqur dëshirat e kriminelit, Nikolla Gruevski. Kanë harxhuar miliona euro për barok, përmendore luksoze dhe tenderë kriminalësh, derisa ndërtonin në mënyrë josistemike shkatërruan gjelbërimet”,- vlerëson LSDM.
Sipas saj, lufta me ndotjen e ajrit është prioritet strategjik i qeverisë dhe paralajmërojnë subvencionim të makinave ekologjike. (Farije Dauti Bakiju, TVM2)
