Maqedoni

Ministria e Kulturës: Analiza për rekonstruimin e objektit, në PSP: Shpallen konkurset e reja, Ademi: Nuk do të lejojmë më asnjë parregullsi

19.11.2018 16:41

Analiza për rikonstruktimin e objektit të Teatrit Shqiptar në Shkup, tani është në duart e Prokurorisë Speciale Publike, si pjesë e lëndës “Shkupi 2014”...

Analiza për rikonstruktimin e objektit të Teatrit Shqiptar në Shkup, tani është në duart e Prokurorisë Speciale Publike, si pjesë e lëndës “Shkupi 2014”, njoftuan nga Ministria e Kulturës në brifingun me gazetarët. Ministri i kulturës, Asaf Ademi, përkujton se analiza është publike edhe në ueb faqen zyrtare të ministrisë.

Sipas tij, organet kompetente po analizojnë se përse janë stërzgjatur tashmë 5 vjet punimet për rikonstruimin e teatrit. Aktualisht në Teatrin Shqiptar po punohet dhe Ademi ka shpresë që rikonstruimi të përfundojë në mars kur parashihet të jepet edhe shfaqja e parë në ndërtesën e re. Po punohet edhe për ekipimin e teatrit të Gostivarit.

Pas emërtimit të tij, i njëjti pritet të regjistrohet në regjistrin qendror, e më pas ai do të kompletohet me 27 të punësuar dhe trupën teatrore.

Ministria e Kulturës ndërkohë ka shpallur konkurset për ndarjen e kompensimeve për artistët e pavarur për vitin 2019, konkurs për pjesëmarrje në financimin e projekteve për manifestimin “Evropianët e rinj”, konkurs për talentet e reja në fusha të ndryshme, si dhe konkurs për financimin e projektit me interes nacional në kulturë për ekspozitën ndërkombëtare të artit në Venecia. Për këto konkurse janë formuar komisionet dhe vërehet një interesim i shtuar.

Deri tani janë paraqitur 5 mijë aplikime. Nga Ministria e Kulturës premtojnë se nuk do të lejojnë të ndodhin skandale si ato të vërejtura në vite paraprake. Madje ministri Ademi thotë se ka vënë në dispozicion të çdo aplikanti numrin e tij personal për çdo dyshim eventual.

REJHANE BUSHI METAJ