Ndërmarrësia e grave, kërkohet miratimi i një strategjie nacionale
Dëshmi e zhvillimit të një shteti janë gratë e suksesshme në biznes, por për suksese më të mëdha...

Dëshmi e zhvillimit të një shteti janë gratë e suksesshme në biznes, por për suksese më të mëdha, nevojitet bashkëpunim mes grave sipërmarrëse u tha në forumin kushtuar Ndërmarrësisë së grave dhe sfidave për integrim në BE, që u organizua me rastin e 19 nëntorit– ditës botërore të ndërmarrësisë së grave.
"Për rezultate më të suksesshme është shumë me rëndësi miratimi i strategjisë nacionale për forcimin e ndërmarrësisë së grave, për çka jemi duke lobuar. Kjo do të ishte kulminacioni i punës tonë, sepse përfundimisht do të kemi një dokument",- deklaroi kryetarja e Shoqatës së Grave Sipërmarrëse, Valentina Disovsks.
Strategjia e qeverisë për ndërmarrësinë e grave 2019-2023 është në procedurë finale, thonë nga qeveria.
"Me këtë strategji në nivel të politikave dhe masave qeveritare konkretizohet përcaktimi për nxitje dhe përkrahje të ndërmarrësisë së grave për krijimin e ambientit të përshtatshëm, duke siguruar përkrahje sistemore, rrjetëzim dhe përfaqësim të grave nga biznesi. Ky dokument strategjik do t’i ndihmojë vendit ta ndjek atë që ndodh në BE dhe me aktivitete të caktuara të shfrytëzojë fondet relevante të BE-së",- tha ministrja pa resor për tërheqjen e investimeve, Zorica Apostollovska.
Në forum morën pjesë mbi 200 organizata, përfaqësues të institucioneve dhe gra sipërmarrëse nga vendi dhe rajoni. Forumi është pjesë e projektit rajonal për kontributin e organizatave qytetare nga sipërmarrësia e grave lidhur me reformat integruese në BE, që ka të bëjë me politikat ekonomike.
GYLTENE SINANI
