Propozim buxheti 2019, përplasje mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së

19.11.2018 17:40

Propozimi i buxhetit për vitin 2019 ka përplasur edhe dy partitë më të mëdha maqedonase....

Propozimi i buxhetit për vitin 2019 ka përplasur edhe dy partitë më të mëdha maqedonase.

Për LSDM-në buxheti i propozuar nga qeveria është zhvillimor, trendi i rritjes së pagave vazhdon si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat. Me buxhetin e vitit 2019, rëndësi të veçantë i është dhënë punësimit, edhe atë me 1.1 miliardë denarë, përkujton partia në pushtet.

“Rroga më të larta do të marrin të punësuarit në arsim, në çerdhe, qendrat sociale, gjyqësor, polici, ushtri dhe të punësuarit në kulturë. Me këto rritje do të rriten të ardhurat e amvisërive, kurse paga mesatare do të vazhdojë të rritet, sipas parashikimeve për 4.5% në bazë nominale”,- tha Hari Llokvenec nga LSDM.

Por, nga VMRO-DPMNE opozitare vlerësojnë se buxheti i propozuar nga qeveria kriminale, është megaloman, përmes të cilit edhe më tepër do të dëmtohen dhe varfërohen qytetarët e Maqedonisë. Nga VMRO thonë se Zaev premtoi cilësi në arsim, kurse në buxhetin për 2019 parashikohen më pak fonde.

“Para një viti, për standard mësimor parashikuan 6.7 milion euro, kurse tani vetëm 5.9 milion euro. LSDM shkurton parashikimet edhe për standardin studentor, për të cilin premtuan se do të jetë sipas standardeve evropiane. Vitin e kaluar parashikuan 14 milion euro, kurse për vitin e ardhshëm planifikojnë 12 milion euro”,- tha Dimçe Arsovski nga VMRO–DPMNE.

Propozim buxheti për vitin 2019, nga java e ardhshme do të jetë para deputetëve. LSDM bën thirrje për debat konstruktiv në Kuvend, me qëllim që buxheti të plotësohet edhe më mirë. (Ersan Pajaziti, TVM2)