Arratisja e Gruevskit, kërkesa për ekstradim ende nuk është gati, MPB: Gruevski ende pret azil në Hungari

19.11.2018 18:10

Ende nuk është gati kërkesa për ekstradimin e deputetit të arratisur, Nikolla Gruevski....

Ende nuk është gati kërkesa për ekstradimin e deputetit të arratisur, Nikolla Gruevski, që ka kërkuar azil politik në Hungari. Deri në përpilimin e kërkesës, Ministria e Drejtësisë preferon të përmbahet nga komentet. Maqedonia dhe Hungaria nuk kanë marrëveshje ekstradimi por mungesa e një marrëveshjeje të tillë nuk do të jetë pengesë për kërkesën e ekstradimit pasi Ministria e Drejtësisë në kërkesën e saj do të mund të mbështetet në konventën evropiane dhe Ligjin për bashkëpunim juridik ndërkombëtar.

Hungaria ndërkohë ende po shqyrton kërkesën për azil dhe nuk preferon të japë përgjigje për procedurën që është në rrjedhë e sipër. Gjatë fundjavës media të caktuara spekuluan me lajmin se Gruevski tashmë e ka lëshuar Hungarinë dhe gjendet në Rusi ose në Turqi, por nga MPB konfirmojnë për TVM2 se ish kryeministri ende gjendet në Hungari.

“Sipas informacioneve që kemi dhe bisedave të realizuara deri tani me MPB-në e Hungarisë, Gruevski po ndodh në Hungari, ku është në pritje të vendimit të autoriteteve hungareze për kërkesën për azil”,- thuhet në komunikatën e MPB-së.

Për momentin MPB po heton se si arriti ai të kalojë kufirin. Prokuroria Publike për krim të organizuar së bashku me MPB-në kanë kërkuar nga autoritetet malazeze video incizimet nga kamerat mbikëqyrëse nga vendkalimi kufitar në të cilin ka kaluar Gruevski në rrugën e tij drejt Hungarisë.

MPB nuk jep shumë detaje në këtë drejtim, por konfirmon se po hetohen të gjitha rrethanat, veprimet dhe bashkëpunëtorët eventualë të organizimit të ikjes së Gruevskit nga Maqedonia.

Në Hungari, çështja “Gruevski” po shfrytëzohet nga opozita për të sulmuar qeverinë. Opozita atje përkujton se sipas një dekreti të vitit 1969, Hungaria duhet të ekstradonte në Maqedoni Gruevskin, të kërkuar në një urdhër ndërkombëtar, që kur ai hyri në vend pa pasaportë. Përgjegjësia sipas tyre qëndron tek qeveria, përfshirë kryeministrin dhe ministrin e jashtëm. (Rexhep Qamili, TVM2)