Botë

Rrëshqitja nxjerr trenin nga shinat, një i vdekur e 6 të plagosur në Spanjë

20.11.2018 10:43

Një person ka humbur jetën dhe 6 të tjerë janë plagosur këtë të martë, pasi një tren pasagjerësh doli nga shinat pranë Barcelonës....

Një person ka humbur jetën dhe 6 të tjerë janë plagosur këtë të martë, pasi një tren pasagjerësh doli nga shinat pranë Barcelonës, për shkak të rrëshqitjeve të dheut si pasojë e reshjeve të dendura të shiut.
 
Lajmi është zyrtarizuar edhe nga operatori hekurudhor i Spanjës dhe shërbimet e emergjencave civile.
 
Aksidenti ka ndodhur në qytezën Vacarisses, rreth 35 km në verilindje të Barcelonës, kur dy prej 6 vagonëve të trenit dolën nga shinat, ngjarje e njoftuar përmes “Twitter”-it nga shërbimet e emergjencave.
 
Rajoni në fjalë është goditur ashpër nga reshjet e furishme gjatë ditëve të fundit.
 
Në tren pati rreth 150 persona në momentin e aksidentit, ndërsa në ndihmë të tyre shkuan zjarrfikës lokalë dhe punonjës të shpëtimit, që ndihmuan pasagjerët të evakuoheshin./Top Channel