Botë
Kosova nuk arrin të bëhet anëtare e INTERPOL-it
20.11.2018 12:18
Edhe pas raundit të dytë të votimit Kosova nuk ka arritur të marrë 2/3 e votave për t’u bërë pjesë e INTERPOL-it....

Votimi në raundin e dytë në Asamblenë së Përgjithshme të INTERPOL-it për Kosovën ishte 68 pro, 51 kundër dhe 16 abstenime. Këto vota nuk ishin të mjaftueshme që Kosova të jetë pjesë e kësaj organizate për bashkëpunim policor.
Lobimi i Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë policore ishte shumë i ashpër. Ndryshe, Kosova kishte aplikuar edhe më parë për anëtarësim në INTERPOL.
Aplikimi i parë për anëtarësim të Kosovës në INTERPOL ishte bërë në vitin 2010 nga krerët e MPB-së së Qeverisë së Kosovës të asaj kohe. Kërkesa për aplikim ishte dorëzuar tek Sekretari i Përgjithshëm i INTERPOL-it, por e cila nuk ishte kaluar tek organet tjera të INTERPOL-it për shqyrtim të mëtejshëm.
Kërkesa e dytë e institucioneve kosovare për anëtarësim në INTERPOL ishte bërë në muajin prill të vitit 2015. E nënshkruar nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, aplikacioni i dytë ishte dorëzuar në INTERPOL përmes kanaleve të tërthorta, gjegjësisht ishte përcjellë në INTERPOL nga misioni i UNMIK-ut, por që organet e INTERPOL-it nuk e kishin marrë në shqyrtim aplikacionin.
