Maqedoni
Xhaferi, në sesionin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s
20.11.2018 15:12
Kryetari i kuvendit, Talat Xhaferi, në sesionin e 64 të Asamblesë Parlamentare të NATO-s...

Kryetari i kuvendit, Talat Xhaferi, në sesionin e 64 të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, ka njoftuar të pranishmit për së afërmi për çështjet politike dhe ecurinë parlamentare të ndryshimeve kushtetuese, që janë një ndër kushtet kryesore që i hap rrugën Maqedonisë për t’u bërë anëtare fuqiplote e NATO-s.
Për frazën “Ballkani është fuqi baruti”, Xhaferi është shprehur se do të shkojë në histori me arsyetimin se liderët ballkanikë janë të interesuar që Ballkani të jetë oazë e paqes dhe bashkëpunimit. Mendoj se për momentin, jo vetëm në Shkup dhe Athinë, por edhe në shtetet tjera në rajon, ka liderë të atillë që mendojnë pozitivisht për paqe rajonale, është shprehur Xhaferi.
“Mundësitë janë këtu para nesh dhe ato janë pikërisht integrimet euroatlantike, gjegjësisht anëtarësimi në NATO dhe Bashkimin Evropian. Mos të harrojmë se proceset eurointegruese kontribuojnë që përkufizimi për "Ballkanin si fuçi baruti", ngadalë por sigurt shkon në histori, a besoj se të gjithë ne që jetojmë në Ballkan e kemi mësuar leksionin historik dhe në të ardhme do të jemi oaza e paqes, e bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore”,- theksoi Xhaferi.
Xhaferi ka siguruar aleancën se obligimet vendore për anëtarësim në NATO do të përfundohen në afatin e paraparë.
“Dëshiroj që edhe njëherë t'u bind se obligimet tona për anëtarësimin e plotfuqishëm do t’i përfundojmë në afatin e paraparë dhe shpresoj se vitin e ardhshëm në këtë kohë do të jemi anëtare e plotfuqishme e kësaj familje”,- tha Xhaferi.
Kryetari i kuvendit, Talat Xhaferi, ka falënderuar aleancën për ndihmën që ka dhënë vazhdimisht në kohë krizash për Maqedoninë në mënyra të ndryshme. Shpreh mirënjohje si për aleancën ashtu edhe individualisht për çdo shtet anëtar të këtij pakti, ka përfunduar fjalimin e tij në sesionin e 64 të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që u mbajt në Kanada, kryeparlamentari Xhaferi.
NERMIN MILAKI FEJZULLAHU
