Piktori Miftar Memeti dhe 50 artistë të UT-së, mozaik kushtuar Gjergj Kastriotit Skënderbeut

20.11.2018 15:26

Mbi 50 artistë të diplomuar në Universitetin e Tetovës kanë marrë pjesë në punimin e mozaikut kushtuar...

Mbi 50 artistë të diplomuar në Universitetin e Tetovës kanë marrë pjesë në punimin e mozaikut kushtuar 550 vjetorit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, ideuar dhe projektuar nga piktori, Miftar Memeti.

Ekspozita e piktorit Memeti u realizuar në hapësirat e UT-së. Sipas piktorit Memeti, mozaiku kushtuar Skënderbeut është ndërtuar nga stemat e llojllojshme të shqiptarëve dhe nga portretet e Skënderbeut ndër vite.

“Kjo punë nuk është vetëm e imja, unë jam koordinator i këtyre punëve. Këto piktura i kanë pikturuar studentët që kanë diplomuar para disa viteve, piktorë, skulptorë, graficentë. Imazhi i këtij mozaiku është Skënderbeu dhe shqiponja. Është ndërtuar nga temat, motivet, siç janë stemat e llojllojshme të kombit tonë, portretet e vetë Skënderbeut, transformimi i shqiponjës nga folklori dhe këtë krejt 50 motive kur bashkohen së bashku japin imazhin e Skënderbeut”,- tha piktori, Miftar Memeti.

Artistët pjesëmarrës në këtë projekt u shprehën të kënaqur për mundësinë e përfshirjes në realizimin e mozaikut të Skënderbeut.

“Së pari, ishte kënaqësi të marr pjesë në këtë projekt të profesorit Miftar. Ky është projekti i dytë që marr pjesë, i pari ishte të projekti i Nënë Terezës dhe ky është për mozaikun e Skënderbeut”,- u shpreh skulptori, Xhezair Rexhepi.

“Vështirësitë gjithmonë janë, por duke u bazuar se bëhet fjalë për profesorin e nderuar, gjithmonë është kënaqësi të jesh pjesë e projekteve të tij”,- theksoi grafistja, Lulzime Osmani.

“Vështirësia për ne nuk ka qenë e madhe se sa për profesorin që të na tubojë 50 artistë të gjithëve. Jam i nderuar për së dyti herë në marrjen në ekspozitë”,- tha piktori, Enver Selimi.

Piktori, Miftar Memeti, vitin e kaluar realizoi mozaikun e Nënë Terezës dhe atë të shqiponjës kushtuar për 100 vjetorin e shtetit shqiptar. (Visari Sadiki, TVM2)