Maqedoni

Ekstradimi i Gruevskit, Deskoska: kërkesa dorëzohet sot ose nesër

20.11.2018 15:50

Më së voni deri nesër do të dorëzohet kërkesa për ekstradimin nga Hungaria të ish kryeministrit, Nikolla Gruevski...

Ministrja e drejtësisë, Renata Deskovska, bënë të ditur se dokumentacioni tani përfshirë aktgjykimin për rastin “Tanku”, 4 akuzat e tjera, hetimet dhe një procedurë parahetimore ndaj Gruevskit, do të dorëzohen deri tek autoritetet hungareze. 
 
Ndërkohë, mediat hungareze njoftuan se Gruevskit i është pranuar kërkesën për azil, por konfirmim zyrtar nuk ka pasur. Deskovska thotë se pa marrë vendimin për azil, Maqedonia do të kërkojë ekstradimin e Gruevskit.
 
“Një pjesë e materialeve janë tërësisht të përkthyera, ndërsa një pjesë më pas do të dorëzohen sepse ai dokumentacion është shumë voluminoz,  duke marrë parasysh se ne në kërkesën tonë për ekstradim nuk do të përfshijmë vetëm aktgjykimin për rastin “Tanku”, por do të përfshihen edhe të gjitha aktakuzat dhe hetimet tjera që ekzistojnë ndaj Gruevskit”,- u shpreh ministrja e drejtësisë, Renata Deskovska.
 
Nga ana tjetër, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka shpjeguar  rrugëtimin e Gruevskit nga Mali i Zi nëpërmjet Serbisë drejt Hungarisë, theksuar se Gruevski i ka kaluar kufijtë e Serbisë në shoqërim të dy diplomatëve hungarezë me letërnjoftim. Ndërsa ka shtuar se Gruevski nuk mund të arrestohej nga policia serbe pasi nuk ishte lëshuar fletëarrest ndërkombëtar ndaj tij.                                                                   
“Me kë po luani ju në Serbi? Kërkonit të arrestonim njerëz për të cilët  nuk ishte shpallur fletëarest në vendin e tij, e jo fletëarrest ndërkombëtar. Çfarë jemi ne? Fisi i egër ose vend i egër”,- tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
 
Ministri i jashtëm hungarez, Peter Sijarto, pas një takimi të ministrave të BE-së, tha se asnjë koleg i tij nuk e kishte ngritur çështjen e azilit të Gruevskit. Sijarto ka thënë se ish-kryeministri i Maqedonisë, Gruevski, ka shprehur dëshirën për të aplikuar për azil në Ambasadën hungareze, por qeveria e Hungarisë nuk kishte asnjë rol në ardhjen e tij. Ai tha se autoritetet hungareze e kanë kuptuar rastin në një nga vendet fqinje të Maqedonisë dhe se Gruevski "krejtësisht ligjërisht” erdhi në Hungari në përputhje me ligjet përkatëse kombëtare dhe ndërkombëtare, dhe të gjitha kalimet kufitare ishin të ligjshme.
 
REXHEP QAMILI