Maqedoni
Pranimi i kërkesës për azil, Deskoska: Presim ekstradimin e Gruevskit
21.11.2018 15:20
Edhe pse ish kryeministrit Gruevski i është miratuar kërkesa për azil politik, Maqedonia ende shpreson në ekstradimin e tij.....

Ministria e Drejtësisë edhe zyrtarisht u dërgoi autoriteteve hungareze kërkesën për ekstradimin e ish-kryeministrit të Maqedonisë, i cili është dënuar me 2 vite burg me vendim të plotfuqishëm nga gjykata.
Në kërkesë janë vendosur edhe dokumente nga Gjykata Themelore Shkupi 1, Prokuroria Speciale Publike dhe Prokuroria Publike. Ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska, është optimiste se Hungaria do ta ekstradojë Gruevskin. Ajo thekson se ligjet e Hungarisë mundësojnë tërheqjen e dhënies së azilit, edhe pasi kërkesa miratohet.
“Kërkesa për ekstradim është e sqaruar me të gjitha argumentet dhe në rast se vendoset në bazë të të gjitha procedurave juridike, duhet të miratohet… Ligjet hungareze janë mjaft restriktive dhe japin mundësinë edhe të shfuqizimit të vendimit për azil, ashtu që Qeveria do të sjellë vendim që të dorëzojë kërkesë për tërheqjen e azilit. Ligji hungarez është i qartë se ata që kërkojnë azil, në rast se njëkohësisht nuk marrin nënshtetësi apo vendqëndrim të përhershëm, vendimi i tyre për azil shqyrtohet në çdo tre vjet. Do të thotë, në rast se Gruevski nuk merr shtetësinë, edhe në rast se nuk merret parasysh kërkesa e Qeverisë, vendimi i tij do të shqyrtohet në çdo tre vite”,- deklaroi ministrja e drejtësisë së Maqedonisë, Renata Deskoska.
Por, optimizmin e Deskoskës e shuan homologu i saj hungarez, Llazo Troshani. Në një intervistë dhënë për televizionin hungarez “Eho TV”, Troshani i ka quajtur të kota përpjekjet e Maqedonisë për ekstradimin e Gruevskit, pasi, sipas tij, Gruevski nuk mund të kthehet më në Maqedoni tani që ka fituar të drejtën e plotë për azil në Hungari.
“Të jemi të sinqertë, nëse një ish kryeministër shkon në burg, sigurisht që nuk do ta ketë të lehtë”,- theksoi ministri i drejtësisë i Hungarisë, Llazo Troshani.
Troshani ka shkuar edhe më tej duke thënë se Gruevski mund të marrë madje edhe dokumente nëse dëshiron, dhe kështu lirshëm mund ta lëshojë Hungarinë.
ZEKIRIJA MEXHITI
