Maqedoni

Arrestimi i Mijallkovit, mbrojtja do të ankimojë vendimin për paraburgim

21.11.2018 15:47

Ish shefi i DSK-së, Sasho Mijallkov, është në paraburgim 30 ditor, masë kjo që iu caktua pasi gjykata vlerëson se ekziston rreziku për arratisjen e tij...

Masa e paraburgimit është kërkuar në lëndën “Target- Fortesa”, konfirmon Gjykata Penale në Shkup.

Gjykatësja, Xheneta Begtoviq, anuloi sot seancën gjyqësore për këtë rast për shkak të kohës së shkurtër nga arrestimi deri në afatin e dërgimit të kërkesës në burgun e Shutkës për sjelljen e Mijallkovit në gjykatë.

Mbrojtja e Mijallkovit ankohet se në vendimin e paraburgimit nuk është cekur ndonjë dëshmi se në bazë të së cilës PSP kërkon masën më të rreptë për sigurimin e të akuzuarit, paraburgimin. Ndaj këtij vendimi Apostollski paralajmëroi ankesë.

“Mbrojtja vlerëson se është e palejueshme që të caktohet masa e paraburgimit pa u ftuar dhe dëgjuar i akuzuari për propozimin e caktimit të kësaj mase. Ligji për procedurë penale saktë shkruan se secili person duhet të thirret dhe dëgjohet dhe pastaj nëse ekzistojnë kushte, t’i caktohet paraburgimi. Thuhet se ekziston rreziku nga arratisja. Në vendimin e marrë nuk janë specifikuar dëshmitë për këtë”,- theksoi avokati mbrojtës i Mijallkovit, Antonio Apostolski.

Përveç rastit “Target-Fortesa”, Mijallkov akuzohet edhe në rastet e tjera të PSP-së, “Thesari”, “Tortura”, “Titanik 2”, së fundmi edhe për rastin “Imperija”.

Mijallkov u arrestua vetëm pak orë pas pranimit të kërkesës për azil të ish kryeministrit Gruevski nga autoritetet hungareze.

Ai është i treti nga ish funksionarët e lartë i VMRO-së që arrestohen pas arratisjes së Gruevskit, të parët u paraburgosën Mile Janakievski dhe Kiril Bozhinovski.

FLORIJE BELULI KAMBERI