Maqedoni

Kredia për “Jugohromin”, Hoxha: pa filtra nuk fillon dot punë; “Eco Guerilla”: ekspertë të pavarur të mbikëqyrin procesin

21.11.2018 17:24

Qeveria ka arritur marrëveshje për financimin e vendosjes së filtrave në “Jugohrom”...

Ekzekutivi angazhoi bankën e Maqedonisë për ndihmë dhe zhvillim, që të lidhë marrëveshje për kredi me “Jugohromin” për një shumë prej 92 milion denarësh për sistemin e filtrave, në mënyrë që ai të vazhdojë punën dhe punëtorët të rikthehen sërish në fabrikë.

Kredia ka afat shlyerje prej 5 vjetësh. Por, fabrika mund të fillojë punën vetëm kur të ketë mbaruar i gjithë procesi i montimit, thotë zëdhënësi qeveritar, Muhamet Hoxha.

“Kusht kryesor i kompanisë “Jugohrom” për të funksionuar janë filtrat. Pa përfunduar i tërë procesi i filtrimit dhe kompania “Jugohrom” të plotësojë kriteret të cilat kërkohen me ligj dhe të marrë lejen nga ana e Ministrisë së Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, nuk mund të funksionojë”,- tha zëdhënësi i Qeverisë, Muhamet Hoxha.

Por “Eko Guerilla” dyshon në këtë vendim të qeverisë. Sipas saj, instalimi i sistemit filtrues kushton 12 milion euro dhe duhen minimum 2 vjet për instalimin e tyre.

“Është e paqartë se si u ul çmimi i filtrave nga 12 milion euro në 1,5-2 milion euro dhe vendosja do të bëhet për 4-5 muaj për të prodhim me kapacitet prej 55%”,- thonë nga “Eco Guerilla”.

Ata kërkojnë që i gjithë procesi të mbikëqyret nga ekspertë të pavarur.

GYLTENE SINANI