Alfabeti i gjuhës shqipe, Qamili: Do të vazhdojë t’i rezistojë kohës
Alfabeti latin i gjuhës shqipe jo vetëm që përcaktoi orientimin europian të shqiptarëve....

Alfabeti latin i gjuhës shqipe jo vetëm që përcaktoi orientimin europian të shqiptarëve, por iu mundësoi t’i rezistojnë asimilimit, vlerësuan panelistët në “Agrument” në TVM 2. Sipas tyre, alfabeti nuk ka nevojë për ndërhyrje, por duhet ndryshuar në raste të caktuara drejtshkrimi i gjuhës duke e mbrojtur me ligj.
“Ky alfabet është bërë i pastër latin, d.m.th. ky është ai elementi që e lehtëson në aspektin teknik dhe i mundëson që të qëndrojë kështu siç është deri në ditët e sotme. Prandaj jo vetëm 110 vite, por mund t’i qëndrojë edhe shumë e më shumë vite”,- tha profesoresha e Fakultetit të Filologjisë në Shkup, Ajtene Qamili.
GJUHA SHQIPE, HAMITI: DREJTSHKRIMI DUHET MBROJTUR ME LIGJ
“Ajo duhet të pasurohet, duhet të lëvrohet, duhet të studiohet, duhet të mbrohet, duhet të bëhen edhe ligje të posaçme për të mbrojtur atë, duhet të kultivohet, të pasurohet, të pastrohet. Ata të cilët kanë mundësi të merren me këtë çështje që janë edhe profesionistë të fushave duhet të merren me këto çështje. Të tjerët që janë përdorues pasiv të shqipes standarde, kuptohet se duhet të kujdesen së paku që të mos e harrojnë këtë shqipe që e kemi”,- tha profesori i Fakultetit të Filologjisë në Shkup, Asllan Hamiti.
GJUHA STANDARDE SHQIPE, SULEJMANI: SHKOLLAT TË LUAJNË ROL KRYESOR
“Unë kam bërë një studim në vitin 2007 për nivelin e zotërimit të shqipes standarde nga nxënësit e shkollave të mesme të qytetit të Shkupit dhe vërtetë nga gjendja aktuale e para dhjetë viteve, nuk ka ndryshuar asgjë në të mirë. Por, vetëm ka shkuar vetëm në të keq”,- profesori i Universitetit të Tetovës, Berton Sulejmani.
Ligjëruesit e gjuhës shqipe apelojnë në ruajtjen e gjuhës standarde shqipe edhe në të folur, duke mënjanuar fjalët e huaja të ndikuara nga rrjetet sociale por edhe mediat. Theksojnë nevojën edhe të bashkëpunimit të vazhdueshëm midis universiteteve me institucionet. (Meral Ismaili, TVM2)
