Ligji për amnisti, Deskovska: Falje vetëm përmes trupit për pajtim
Amnisti apo ligj për falje, ky është debati që po përplas VMRO-DPMNE-në dhe LSDM-në...
Amnisti apo ligj për falje, ky është debati që po përplas VMRO-DPMNE-në dhe LSDM-në. VMRO hodhi poshtë vendimin e qeverisë për formimin e trupit koordinues për falje në ngjarjet e 27 prillit, duke kërkuar ligj të veçantë për amnisti të të gjithë personave të përfshirë, propozim ky që u hodh poshtë nga ekzekutivi. Ministrja Deskovska arsyeton refuzimin e propozimit me faktin se i njëjti nuk mund të jetë gjithëpërfshirës.
“Ligji i cili ishte në procedurë ligjore në propozim të deputetëve të VMRO-DPMNE-së, është ligj i cili është shumë gjithëpërfshirës dhe planifikon çfarëdolloj amnistie, dhe ne konstatuam se duhet të refuzuar sepse nuk është rruga e duhur për tejkalim të situatës aktuale. Qëndrimi ynë ka qenë se një amnisti e tillë duhet të zgjidhet në kuadër të trupit koordinues për falje në Parlamentin e Maqedonisë”,- tha ministrja e drejtësisë, Renata Destovska.
LIGJI PËR FALJE, VMRO-DPMNE: FARSË PËR TË VAZHDUAR AGONINË
I menjëhershëm ka qenë reagimi i VMRO-DPMNE-së, sipas së cilës Qeveria nuk dëshiron falje të sinqertë, por këtë fjalë e shfrytëzon për marketing politik.
“E gjithë kjo farsë që po krijohet, fakti që nuk na jepet përkrahje për prezantim të Ligjit për amnisti, është një skenar i paramenduar për vetëm një qëllim, që të vazhdojë agonia për të gjithë personat të cilët janë të involvuar në ngjarjet e 27 prillit. Ne nuk përkrahim dhunë në Kuvend të asnjë lloji, por selektimi në drejtësi nuk jep sinjale që kjo Qeveri dëshiron të zgjedhë diçka me komisionin për falje”,- tha shefi i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski.
VMRO ripërsërit se nuk do të marrë pjesë në punën e Komisionit për falje, por do ta përkrahin çdo vendim të tij që do të ketë si qëllim amnistinë e të gjithë personave të involvuar në ngjarjet e 27 prillit. (Fitim Kryeziu, TVM2)
