Arratisja e Gruevskit, Darmanoviç: Kur kaloi kufirin nuk kishte fletëarrest
Ministrat e jashtëm të Maqedonisë e Malit të Zi, Nikolla Dimitrov dhe Srxhan Darmanoviç....

Arratisja e ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski, nëpër rutën Shqipëri - Mal të Zi – Serbi - Hungari, paraqet një sfidë për bashkëpunim më të mirë rajonal.
Ministrat e jashtëm të Maqedonisë e Malit të Zi, Nikolla Dimitrov dhe Srxhan Darmanoviç, diskutuan edhe për këtë temë në takimin në Shkup. Darmanoviç arsyetohet se Mali i Zi nuk ka pasur të drejtë që të arrestojë në kufi Gruevskin, për shkak se për të nuk ka pasur arrest ndërkombëtar.
“Pozita jonë ishte shumë e qartë. Ne, siç e dini, nuk kemi pasur asnjëfarë të drejte për të ndalur shtetasin e Maqedonisë apo ish-kryeministrin, Nikolla Gruevski. Në momentin që ai ka kaluar territorin e Malit të Zi, nuk kemi pasur asnjë sinjal që personi të arrestohet. Pas gjithë kësaj, kemi informuar institucionet e sigurisë të Maqedonisë. E kemi bërë në mënyrë shumë miqësore, ashtu që nga ana jonë nuk ka pasur asnjë “lojë”, por kemi vepruar sipas të drejtave dhe ligjeve”,- u shpreh ministri i punëve të jashtme i Malit të Zi, Srxhan Darmanoviç.
DIMITROV: RAJONI TË NXJERRË MËSIM NGA KY RAST
Ministri Dimitrov tha se i gjithë rajoni duhet të nxjerrë mësim nga ky rast. Ai nuk la pa komentuar edhe deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili kishte thënë se Gruevski është ngarkuar për një vepër të panevojshme, duke thënë se deklaratat e tilla janë jo të duhura.
“Ka pasur koment nga kryetari i Serbisë në lidhje me veprën penale që është dënuar Gruevski, diçka që nuk komentohet as për gjykime të brendshme, e lëre më për të jashtme. Rasti tregon se sa është i rëndësishëm bashkëpunimi rajonal. Rasti tregon se kur një vend ka një sfidë, i gjithë rajoni ka një sfidë. Ky është leksioni nga ky rast. Ne nuk kemi për qëllim që të prishim marrëdhëniet me asnjë shtet”,- u shpreh ministri i punëve të jashtme, Nikolla Dimitrov.
Dimitrov informoi gjithashtu se është zhvilluar takim ndërmjet ambasadorit të Maqedonisë në Tiranë me përfaqësues të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë në Tiranë, ku janë marrë informata zyrtare. Gjithashtu është kërkuar të bëhet veprim i njëjtë edhe nga Ambasada e Maqedonisë në Beograd. (Ersan Pajaziti, TVM2)
