Dhënia e azilit për Gruevskin, Hahn pret sqarim të vlefshëm nga Orban
Bashkimi Evropian ka kërkuar nga kryeministri hungarez, Viktor Orban....

Bashkimi Evropian ka kërkuar nga kryeministri hungarez, Viktor Orban, të japë sqarime për dhënien e azilit ish kryeministrit, Nikolla Gruevski. Eurokomisari për zgjerim, Johanes Hahn, madje është habitur nga një vendim i tillë.
“Nëse vendimi konfirmohet, pres sqarime dhe arsyetime nga Viktor Orban. Sundimi i së drejtës paraqet parim fondamental për shtete anëtare të BE–së dhe ato kandidate. Kjo është vendimtare për kredibilitetin e Europës. Na surprizon përkrahja e Hungarisë ndaj Maqedoninë për t’u bërë anëtare e BE-së, por njëkohësisht e konsideron shtet të pasigurt”,- shkruan në twitter eurokomisari, Hahn.
BE PRET KONFIRMIM ZYRTAR NGA HUNGARIA
Nga Komisioni Evropian thonë se tani për tani nuk kanë marrë vërtetim se Hungaria i ka dhënë azil politik ish kryeministri Gruevski.
“Presim nga të gjitha palët të sillen në pajtim me rregulloret relevante pa e politizuar rastin. Megjithatë, sipas të drejtës europiane dhe ndërkombëtare, vendet anëtare vendosin individualisht për kërkesat e azilit”,- thonë nga KE.
DIMITROV: PARADOKSALE, NJË VEND I BE-SË MBRON TË DËNUARIN
Ministri i jashtëm, Dimitrov, pajtohet se vendimi i Hungarisë shkel kredibilitetin e sundimit të së drejtës në BE.
“Është paradoksale që një vend i BE-së t’i japë mbrojtje një të gjykuari. Ky është problem për Maqedoninë, por megjithatë edhe për Bashkimin Evropian dhe për kredibilitetin e parimit të sundimit të së drejtës në BE”,- u shpreh ministri i jashtëm, Nikolla Dimitrov.
Dimitrov për këtë rast do të diskutojë haptas me homologun e tij hungarez, Sijarto, në margjina të Samitit të NATO-s, më 4 dhjetor. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)
