Australia mund të ndërhyjë ushtarakisht në Irak
Australia nuk përjashton dërgimin e trupave ushtarake në Irak për të luftuar kundër militantëve të ISIS-it.......

Por, kryeministri Tony Abott, ka bërë të qartë se fokusi tani është përqendruar në dërgimin e ndihmave humanitare për të ndihmuar mijëra banorë Yazidi, që po largohen nga frika e militantëve. Avionët australianë po mbushen me ushqim, ujë dhe ndihma të tjera për ta. Por, Abott tha se vendi i tij ishte gati për të bërë më shumë. I pyetur nëse kjo mund të përfshijë veprime ushtarake, Abbott u përgjigj: “nuk e përjashtojmë këtë mundësi, ajo që po ndodh atje është gjenocid”.
"Ashtu si potencoi edhe presidenti Obama, atje po ndodh një gjenocid potencial dhe Australia duhet të bëjë atë që mund të bëjë, për të mbrojtur njerëzit nga gjenocidi i mundshëm. Nuk përjashtojmë as ndërhyrjen ushtarake nëse duhet. Të gjithë jemi të bindur se ISIS-i dhe shteti islam po marshojnë në veri të Irakut. Ajo që po ndodh në Irak dhe Siri, nuk është fenomen i izoluar. Ajo që po ndodh atje, mund të ketë pasoja edhe në Australi, në Britani dhe në të gjithë botën”- deklaroi kryeministri i Australisë, Tony Abbott.
Edhe avionët britanikë po hedhin ushqim e llamba për mijëra njerëz të bllokuar në malin Sinjar.
Po shtohet presioni edhe ndaj kryeministrit britanik, David Cameron, për të ndërmarrë veprime më të fuqishme në Irak. Britania do të dërgojë avionë “Tornado” në rajon, që të përdoren për mbikëqyrje nëse është e nevojshme. Britania e madhe po shikon mundësinë se si mund tu dalë në ndihmë forcave kurdë.
Shtetet e Bashkuara kanë vazhduar ndërkohë sulmet ajrore kundër disa pozicioneve kryengritëse dhe kanë filluar furnizimin e kurdëve me armatim.
Ndërkohë që po shtohet presioni në veri, Bagdadi është tronditur nga një sulm me bombë që la të paktën 8 të vdekur . Një tjetër bombë shpërtheu në Zafarania duke vrarë 4 persona dhe plagosur 13 të tjerë. (Sanije Kasami, TVM2)
