Maqedoni

Përvjetori i Kongresit të Manastirit, 110 vite shkruajmë me alfabet të unifikuar

22.11.2018 09:14

Të gjithë shqiptarët sot shënojnë 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit Shqip, i cili u unifikua 110 vjet më parë në Kongresin e Manastirit. Këtë vit dita e alfabetit po shënohet me moton “Për ne dielli lind në Perëndim”....

Kongresi i Manastirit njihet si një kuvend më i rëndësishëm kombëtar në historinë politike e kulturore të shqiptarëve në fillim të shekullit XX, pasi rilindësit e shihnin mungesën e një alfabeti të përbashkët të gjuhës shqipe jo vetëm si një problem gjuhësor e kulturor, por edhe si një çështje politike, një shenjë ndasie, që pengonte bashkimin e shqiptarëve. 
 
Nismën për thirrjen e kongresit për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe e mori klubi “Bashkimi” i Manastirit, që luante rolin kryesor ndërmjet klubeve shqiptare. 
 
Kongresi u hap në Manastir më 14 nëntor 1908 dhe i vijoi punimet deri më 22 nëntor, duke rezultuar me vendimin për alfabetin latin të gjuhës shqipe me 36 shkronja. Kongresi i Manastirit ishte një kuvend i vërtetë mbarëshqiptar, në të cilin morën pjesë gjithsej 50 delegatë nga të gjitha qytetet e vilajetet e Manastirit, të Kosovës, të Janinës e të Shkodrës, si edhe nga shoqëritë shqiptare të Bukureshtit, të Sofjes, të ShBA-së, të Egjiptit, të Italisë etj.
 
Delegatë të tij ishin shkrimtarët dhe publicistët më të njohur, si: Gjergj Fishta, Nikollë Kaçori, Ndre Mjeda, Gjergj Qiriazi, Mithat Frashëri, Hilë Mosi, Luigj Gurakuqi, Emin bej Shkupi dhe intelektualë e patriotë të tjerë. Kryetar i Kongresit u zgjodh Mithat Frashëri, ndërsa nënkryetarë, Luigj Gurakuqi e Gjergj Qiriazi. Sot, 110 vite më pas, Kongresi paraqet një ndër aktet më të rëndësishme në historinë kombëtare dhe shënohet me aktivitete të shumta në Manastir dhe Shkup. Pjesë e aktiviteteve është edhe shëtitja në Çarshinë e Vjetër dhe vendosja e luleve te përmendorja e Skënderbeut në Shkup e kryetarit të Shqipërisë, Ilir Meta, në shoqërimin e  kryeparlamentarit të Maqedonisë, Talat Xhaferit, zëvendëskryeministrit, Bujar Osmanit, dhe liderit të BDI-së, Ali Ahmetit.