Maqedoni
E-tatimi pensional, lirohen pensionistët pa të ardhura shtesë
22.11.2018 14:57
Pensionistët që nuk kanë të ardhura të tjera përveç pensionit....

Pensionistët që nuk kanë të ardhura të tjera përveç pensionit, deri në vitin 2024 janë të liruar nga obligimi i paraqitjes së tatimeve personale. Nga DAP sqarojnë se ky lirim nga obligimi vjen pasi këta pensionistë të ardhurat e tyre i kanë vetëm nga fondi pensional.
“Ligji i ri për të Ardhurat Personale parasheh shtyrjen e detyrimit për të paraqitur një kthim vjetor të tatimit nga ana e DAP-it për qytetarët të cilët kanë të ardhura vetëm nga një pension i paguar nga Fondi Pensional në 7 vitet e ardhshme. Kjo do të thotë që në periudhat nga viti 2018 deri në vitin 2024 pensionistët të cilët nuk kanë ndonjë të ardhur tjetër përveç pensionit janë të përjashtuar nga çdo detyrim ndaj Drejtorisë për të Ardhura Publike”,- tha drejtoresha e DAP-it, Sanja Lukarevska.
Deri tani për regjistrim elektronik për paraqitjen e tatimit janë paraqitur 300 mijë qytetarë, deri në fund të vitit duhet të regjistrohen gjithsej rreth 900 mijë tatimpagues. Në sportelet e DAP-it nëpër komuna janë vendosur edhe rregullat për opsionin “tatim mobil”, përmes të cilit personat të cilët janë të palëvizshëm e nuk mund të shkojnë vetë në DAP të dorëzojnë dokumentet, do të vizitohen nëpër shtëpitë e tyre nga ekipet e DAP-it. Caktimi i orarit të vizitës bëhet përmes telefonave që veç më janë publikë në faqen e internetit të DAP-it.
REJHANE BUSHI METAJ
