Maqedoni
Projekt-buxheti i MTL-së për vitin 2019, Sugarevski: Viti i investimeve të mëdha kapitale
22.11.2018 16:42
Buxheti i përgjithshëm i Ministrisë së Transportit për vitin 2019 është 7 miliard e 269 milionë e 985 mijë denarë....

Buxheti i përgjithshëm i Ministrisë së Transportit për vitin 2019 është 7 miliard e 269 milionë e 985 mijë denarë, rreth 90% prej tyre, apo 6 miliardë e 419 milionë e 925 mijë denarë, janë planifikuar për investime kapitale. Pjesa më e madhe e shpenzimeve kapitale ndahen për ndërtimin dhe modernizimin e hekurudhave.
“Për ndërtimin dhe modernizimin e hekurudhës kemi parashikuar 3 miliardë e 340 milionë denarë, ose 2 miliardë më shumë se buxheti i vitit 2018. Po ashtu, kemi parashikuar 430 milion denarë për subvencione për "Hekurudhat e Maqedonisë” për mbulimin e humbjeve. Për gazifikimin janë parashikuar 1 miliardë e 557 milion denarë”,- tha ministri i transportit, Goran Sugarevski.
Përmes projekteve nga Banka Evropiane për Investime për ndërtimin e kanalizimeve dhe ujësjellësve janë parashikuar 590 milion denarë. Për ndërtimin dhe rikonstruimin e ujësjellësve në Gostivar, Kavadar, Radovish dhe Gjevgjeli janë parashikuar 288 milion denarë. Për ndërtimin e rrjetit të kanalizimit në zonën industriale në Vizbeg janë siguruar 60 milion denarë.
Buxheti i ri parashikon nga 20 milion denarë për ndërtimin e kanalizimit në Haraçinë dhe Sopishtë, ndërsa 10 milion denarë për në Gjorçe Petrov. Sugarevski sqaroi se janë siguruar mjete për mbështetjen e linjave të reja ajrore, ndërtimin e rrugëve lokale, projekteve infrastrukturore në vendbanimet me popullsi rome dhe ndërtimin e banesave sociale.
NAIM RAMADANI
