Dita e Alfabetit, Meta: Ngjarje madhore për kombin tonë; Ahmeti: Jetësojmë idealet e heroit kombëtar
110 vjetori i Alfabetit të Shqipes solli në Shkup edhe presidentin shqiptar, Ilir Meta....

110 vjetori i Alfabetit të Shqipes solli në Shkup edhe presidentin shqiptar, Ilir Meta, që u bë kështu pjesë e manifestimit qendror të kësaj date, që sivjet zhvillohet nën patronatin e kreut të kuvendit, Talat Xhaferi, dhe Sekretariatit për Çështje Europiane.
Meta dhe Xhaferi, të shoqëruar edhe nga kreu i BDI-së, Ahmeti, dhe zëvendëskryeministri, Osmani, vizituan Çarshinë e Vjetër në Shkup. Vizitës nuk kishte si t’i mungonte edhe nderimi për heroin kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, 550 vjetori i vdekjes së të cilit e ka kthyer gjithë këtë vit në vitin e Skënderbeut. Meta theksoi me këtë rëndësinë e Kongresit të shkronjave për pavarësinë e vetë shtetit shqiptar.
“Jam shumë i lumtur që sot jam këtu në Shkup dhe të marr pjesë në kremtimin e 110 vjetorit të Kongresit të Manastirit, një ngjarje madhore për të gjithë kombin shqiptar, që i bashkon gjithë shqiptarët rreth alfabetit të gjuhës shqipe dhe që i parapriu pavarësisë së Shqipërisë. Skënderbeu do mbetet përgjithmonë shqiptari më i gjallë ndër shqiptarët e gjallë, që do të thotë që është vepra e jashtëzakonshme e kësaj figure madhore jo vetëm e kombit tonë por edhe e gjithë qytetërimit evropian që përcaktoi identitetin tonë evropian, rrugën tonë evropiane për të cilën edhe sot ne jemi të angazhuar, shqiptarët kudo, në të gjithë rajonin dhe ku faktori shqiptar në Maqedoni jep një kontribut historik dhe përcaktues"- tha presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ripotencoi se është arritur të jetësohen të gjitha idealet që i kishte heroi ynë, Skënderbeu.
“Sot shënojmë 110 vjetorin e vendimit historik të rilindasve tanë mbi përcaktimin e shqipes së shkruar, por edhe mbi përcaktimet të cilat ishin vendimtare se ngado që do ecin shqiptarët. Sot bashkë me këtë përkujtim përkujtojmë edhe 550 vjetorin e heroit tonë kombëtar i cili na mbajti shpirtin gjallë për shekuj me radhë, që ne të jetësojmë dhe të materializojmë ato ideale që i kishte heroi ynë kombëtar, por edhe tërë rilindja kombëtare, që ne sot si shqiptar kemi akoma punë për të bërë, por jemi krenarë që i kemi shndërruar në monumente të gjitha ato ideale të tyre që i kanë pasur”,- u shpreh kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Dita e Alfabetit të gjuhës është shënuar edhe nëpër qytete tjera me aktivitete të ndryshme kulturore. Aktiviteti qendror mbahet në Shkup, me një koncert solemn, i cili do të transmetohet drejtpërdrejt nga TVM2. (Zekirija Mexhiti, TVM2)
