Kumanovë, shënohet Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Edhe në qytetin e Kumanovës, me aktivitete të shumta....

Edhe në qytetin e Kumanovës, me aktivitete të shumta, ditëve të fundit po festohet 110 vjetori i Alfabetit të Gjuhës Shqipe.
Manifestimi kryesor u mbajt sot nën organizim të Shoqatës “Java Kulturore Shqiptare”. Me këtë rast u ndanë mirënjohje për ata që kontribuuan për zhvillimin e arsimit shqip në Kumanovë e rrethinë.
“Kongresi i Manastirit është një faqe e ndritur e kulturës tonë, që u tregoi Ballkanit e Evropës se kultura shqiptare ishte unikate ashtu siç mësohet në gjuhët indoevropiane. Gjatë historisë shqiptarët janë shquar për një ndërgjegje shumë të lartë gjuhësore”,- u shpreh Agim Behluli nga JKSh.
“Shqipdashësit, në atë kohë, por edhe luftëtarët e kohërave të kahershme, por edhe në luftërat e fundit, i dhanë ngjyrë çështjes kombëtare, ia dhanë ngjyrën e kuqe shqiptarëve, ngjyrë me të cilën sot valëvitet flamuri ynë kombëtar, por edhe ai i Republikës së Kosovës, në vendet më të dashura, më të preferuara evropiane dhe ndërkombëtare”,- tha përfaqësuesi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Abdullah Hasani. (Fatlum Aqifi, TVM2)
