Super Kupa për Realin
Real Madridi ka shtuar edhe një trofe në sirtarin e vet, pasi në Superkupën e UEFA-s mposhti Sevillan me rezultat 2-0.......

Përballja ndërmjet fituesit të Ligës së Kampionëve dhe fituesit të Europa League u zhvillua në stadiumin e qytetit në Cardiff, ndërsa në duelin spanjoll triumfuan Los Blancos.
Të zgjedhurit e Carlo Ancelottit dominuan në fraksionin e parë dhe pas dy rasteve të mira nga Bale dhe Ronaldo, erdhi goli i epërsisë.
Ishin pikërisht këta dy lojtarë të përfshirë në krijimin e epërsisë për Mbretërit. Uellsiani harkoi, kurse portugezi e futi topin në rrjet (30’).
Lojtarët e veshur me fanella të bardha ishin më të mirët në fushë edhe në gjysmën e dytë, në të cilën u realizua një gol nga po i njëjti lojtar.
Benzema asistoi te Cristiano Ronaldo dhe 29-vjeçari e shënoi (49’) në pamundësi të Betos që të mbronte.
Ky është trofeu i dytë i Superkupës evropiane për Real Madridin, ndërsa dy herë të tjera e ka humbur.
Në këtë ndeshje u angazhuan nga minuta e parë dy përforcimet e reja të Los Blancos, James Rodriguez dhe Toni Kroos.