Botë

Policia e Kosovës, arrestohen vrasësit e Oliver Ivanoviqit

23.11.2018 11:52

Policia e Kosovës ka ndaluar në veri të Mitrovicës katër persona....

Policia e Kosovës ka ndaluar në veri të Mitrovicës katër persona, tre prej të cilëve dyshohen të janë të përfshirë në vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviqit, në janar të këtij viti, ndërsa personi i katërt u arrestua për shkak të rezistimit ndaj policisë.
 
Në mesin e të arrestuarve është edhe Nedelko Spasojeviq, zyrtar i lartë i Policisë së Kosovës, ndërsa të arrestuarit tjerë janë Dragisha Markoviq, Marko Rosiq dhe Sasha Curciq. Po ashtu i kërkuari, Millan Radojiçiq, një nga figurat kryesore të komunitetit serb në veri, i portretizuar si kriminel, ka arritur që të ikë nga Policia e Kosovës, e cila tani është vënë në kërkim të tij. Këtë e ka konfirmuar drejtori i Departamentit për Hetime pranë policisë së Kosovës, Riza Shillova.  
 
“Në orët e mëngjesit, Policia e Kosovës ka kryer një aksion të bastisjes në veri. Si rezultat i këtij operacioni janë arrestuar 4 persona, 3 prej tyre në lidhje me rastin e Oliver Ivanoviqit. Cak i këtij operacioni kanë qenë 4 të dyshuar. Një nga të dyshuarit nuk është gjetur në vendbanimin e tij dhe është arratisur. Ndërsa tjetri ka penguar personat zyrtarë për kryerjen e detyrës”,- u shpreh Riza Shillova nga Policia e Kosovës. 
 
Ndërsa prokurori, Sylë Hoxha, bëri të ditur se Prokuroria ka prova për arrestimin edhe të dy të dyshuarve për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.                                                                                                                 
“Përveç urdhër-kontrollit kemi qenë të detyruar ta ndalojmë edhe një person i cili ka penguar në kryerjen e detyrave zyrtare. I pandehuri M. R. nuk është gjetur në adresën e tij. Ende nuk është arritur të arrestohet edhe një person me inicialet S. A.. Për hir të hetimeve në këtë fazë shkojmë vetëm me inicialet. Këta persona kanë ndihmuar në vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Ne për momentin kemi dyshime por edhe prova për t’i ndaluar këta persona”,- theksoi prokurori, Sylë Hoxha.   
                                                                               
Policia e Kosovës gjatë bastisjes ka konfiskuar edhe një armë automatike, prodhim jugosllav, me një karikator të zbrazët, katër karikatorë për automatikë me 106 fishekë, një karikator me 10 fishekë, dy karikatorë të zbrazët për automatik dhe një i revoles, një granatë dore M-75, një tytë e tromblonit, një radio lidhje motorollë jo zyrtare, me mbushës, dy jelekë ushtarak, substancë e dyshuar narkotike me sasi prej 76 gramësh, dokumente të ndryshme dhe gjësende tjera.
 
Por, pas operacionit policor është mbledhur i ashtuquajturi Shtabi i krizës së katër komunave serbe në veri të Kosovës, i cili ka kërkuar që menjëherë të lirohen qytetarët e arrestuar të Mitrovicës veriore ose të ofrohen dëshmi valide për arsyet e kapjes së tyre. Ndërsa nëpërmjet një kumtese për media KFOR-i konfirmoi se ajo që ndodhi ishte vetëm një operacion policor dhe jo pozicionim i ndonjë force ushtarake në veriun e Mitrovicës. “Situata në teren mbetet e qëndrueshme dhe nën kontroll”,- thotë KFOR-i. 
 
GYLTENE SINANI