Ndahen medaljet e para në kampionatin evropian në atletikë
Dita e parë e kampionatit evropian në atletikë, në Cyrih të Zvicrës, solli dy disiplina finale, në 10.000 metra te femrat dhe në hedhje të gjyles te meshkujt............

Te femrat, fituese sensacionale e garës në 10.000 metra, është britanikja 40 vjeçare, Xho Pavey.
Nëna e dy fëmijëve, deri te medalja e artë erdhi me kohë prej 32 minuta, 22 sekonda e 29 të qintat, duke triumfuar para francezeve Klemens Kalvin dhe Lela Trabi. Me këtë fitore dhe me moshë prej 40 vjet, 10 muaj e 23 ditë, Pavey u bë kampionja më e vjetër në historinë e evropianeve.
Në hedhje të gjyles te meshkujt, ashtu edhe siç pritej, pa probleme të mëdha triumfoi kampioni I dyfishtë botëror, David Storl.
Gjermani, 21 metër e 41 cenimetra të hedhura, mbrojti të artën e fituar para dy vitesh në Helsinki.
Medaljen e argjent e fitoj spanjolli Borja Vivas, ndërsa të bronztën Tomasz Majewski nga Polonia. Ndërkohë, dita e sotme e garimit, nisi me disiplinën e ecjes të shpejtë në 20 kilometra te meshkujt, me ç`rast beteja për medaljen e artë, ishte një prej më të paqartave në histori.
Në fund, festa e madhe ishte për spanjollin Migel Angel Lopez, i cili triumfoi me 1 orë, 19 minuta e 44 sekonda dhe me vetëm një sekondë përparsi para rusit Aleksandar Ivanov. (Mustafa Ademi, TVM2)
