Maqedoni

Rasti “Titanik”, Gruevski do të gjykohet në mungesë; Gjykimi vazhdon me bisedat e përgjuara

23.11.2018 14:48

Kanë vazhduar proceset gjyqësore në rastet e ngritura të PSP-së që kanë të bëjnë me parregullsitë zgjedhore “Titanik” dhe “Titanik 3”....

Në rastin “Titanik”, ku i akuzuar është Nikolla Gruevski, është vendosur që të gjykohet në mungesë, për shkak të arratisjes së tij në Hungari dhe fitimit të azilit politik. Në mungesë të Gruevskit, gjykimi ka vazhduar me dëgjimin e materialeve të përgjuara. 
 
Në njërën nga bisedat, që ka të bëjë me rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale, ish ministrja për punë të brendshme, Gordana Jankullovka, dhe Mile Jakievskit, shkëmbejnë mendime se pse është e rëndë të fitojnë komunën Qendër. Janakievski vlerëson se puna me votuesit e Pustecit u ka shkuar mbrapsht, teksa Jankullovska përgjigjet: ”Na u kthye kundër korrupsioni, banesat. Në qendër jetojnë intelektualë, nuk është ajo Jagunovcë”.
 
Në bisedat e përgjuara mund të vërehet se si Janakievski ditën e zgjedhjeve bën kontroll për daljen në votim të të punësuarve në institucionet shtetërore e private që kanë bashkëpunuar me pushtetin e atëhershëm. Ai thotë se të punësuarit në “Orka Holdin” në pronësi të Orce Kamçev, nuk kanë dalë të votojnë dhe se nga baza e di saktë se kush ka dalë e kush jo. 
 
Në një pjesë të madhe të bisedave, Janakiveski përmend emra të cilët nuk kanë dalë në votime dhe kërkon të njëjtëve t’u bëhet shtypje që të votojnë. 
 
Ndërkaq, gjykimi për rastin “Titanik 3” ka vazhduar me dëgjimin e dëshmive të anëtarëve të Komisionit. Nazhie Salihi tha se procesverbalin ditën e votimit e ka përpiluar kryetarja dhe se kjo vetëm e ka nënshkruar. Ajo shtoi se në dëshminë e saj të dhënë në fazën hetimore në PSP ka vërejtur se procesverbali ka përmirësime që nuk i ka pasur në kohën kur ka nënshkruar ajo. Ndërsa, Lumnie Krosi nuk është e sigurt nëse nënshkrimi në proces verbal është i saj, pasi që, siç tha, ka kaluar një kohë e gjatë në rastin “Titanik 3”. 
 
Ndryshe, deputeti, Ejup Alimi, bashkë me Ismet Gurin, i cili në zgjedhjet lokale të vitit 2013 ka qenë sekretar i Komisionit Komunal Zgjedhor në komunën e Çairit, akuzohen për shkatërrim të materialit zgjedhor. Sipas akuzës, Alimi dhe Guri kanë përmirësuar rezultatet nga votimi në zgjedhje.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI