Maqedoni

Taksa 100% e Kosovës për produktet serbe, OEVMP: Mundësi për përfitim nga kompanitë e RM-së

23.11.2018 15:14

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës prej 100% ndaj produkteve të importuara nga Serbia dhe Bosnja...

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës prej 100% ndaj produkteve të importuara nga Serbia dhe Bosnja, do të krijojë rrethana të reja në tregun e Kosovës, ndërsa si pasojë e kësaj do të lind nevoja për importin e shumë produkteve të nevojshme për funksionimin normal të ekonomisë atje. Por, masa e vendosur sipas drejtorit ekzekutiv të OEMVP-së, Drilon Isenit, shihet si mundësi përfitimi për kompanitë nga Maqedonia por se e njëjta do të jetë e përkohshme.
 
“Kjo paraqitet si mundësi për kompanitë nga Maqedonia për të ndihmuar shtetin e Kosovës për nevojat e tyre që i kanë në treg. Vlerësimi ynë parimor është se ky do të jetë një përfitim momental, mirëpo Maqedonia si shtet duhet ta shohë, gjegjësisht të përgatitet edhe në suaza më afatgjata”,- deklaroi Drilon Iseni nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore.
 
Sipas statistikave, tregu i Kosovës është ndër 5 vendet e para për prodhuesit nga Maqedonia, por sipas Odës Ekonomike, mungesa e investimeve infrastrukturore ka bërë që të ketë ulje të shkëmbimit tregtar mes Maqedonisë dhe Kosovës.
 
“Ne si odë vlerësojmë se Maqedonia në mënyrë imediate të fillojë me ndërtimin, gjegjësisht me transformimin e rrugës Shkup-Bllacë në autostradë, e cila do të lehtësojë qarkullimin e mallrave, kurse po ashtu edhe pikën doganore në Jazhincë ta funksionalizojë, që e gjithë kjo do të ndikonte në qarkullimin më të lehtë të mallrave mes dy shteteve”,- u shpreh Drilon Iseni nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore.
                                     
Nga doganat e Kosovës kanë njoftuar se, që prej ditës kur është vendosur taksa 100% ndaj produkteve të importuara nga Serbia dhe Bosnjë Hercegovina, ka pasur rënie totale të hyrjes së mallrave në Kosovë nga këto dy shtete. Po ashtu është kërkuar edhe largimi i të gjitha produkteve në të cilat shkruan “Kosova dhe Metohija”.
 
Ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës kanë reaguar Serbia dhe Bosnjë Hercegovina, ndërsa është mbajtur edhe një protestë njëorëshe në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës. Por, sipas autoriteteve të Kosovës, taksa do të mbetet e tillë derisa Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës.  
 
ZEKIRIJA MEXHITI