Orban: Gruevski, aleat i popullit hungarez
Kryeministri hungarez, Viktor Orban, në një intervistë për radion hungareze “Koshut”....

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, në një intervistë për radion hungareze “Koshut”, tregoi arsyet përse e ka strehuar dhe i ka dhënë azil politik ish kryeministrit, Nikolla Gruevski, në Hungari.
Orban tha se nuk ia ka bërë llafin dysh Gruevskit për shkak të angazhimit të madh të Gruevskit më herët në mbrojtjen e kufijve të Hungarisë, duke parandaluar fluksin e madh të emigrantëve për të hyrë në Hungari.
“Pa ish-kryeministrin maqedonas do ta kishim shumë të rëndë që të mbronim kufijtë e Hungarisë nga vala a refugjatëve edhe përkundër asaj që ne ndërtuam një mur. Ai edhe atëherë kërkoi ndihmë dhe ne i ndihmuam”,- tha kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban.
Ai nuk ka dyshime se Gruevski nuk është vetëm aleat i tij por aleat i gjithë popullit hungarez.
“Njeriu duhet sinqerisht t’i trajtojë aleatët e tij”,- tha Orban, duke mos dashur të zbulojë se me çfarë dokumente ka hyrë në Hungari Gruevski.
Orban gjithashtu sqaroi se në 30 vjetorin e demokracisë së Hungarisë, kjo nuk është hera e parë që shteti ka pranuar njerëz të rëndësishëm, por tha se asnjë prej tyre nuk ka qenë në cilësinë e Gruevskit. Orban madje tha se pas ndjekjes së Gruevskit qëndrojnë organizatat e Xhorxh Sorosit, i cili, sipas tij, vazhdimisht i ka ndjekur gjurmët e Gruevskit.
Në lidhje me sjelljet dhe deliktet e ish-kryeministrit Gruevski në Maqedoni, Orban tha se Hungaria e ka të patjetërsueshme të qëndrojë larg tyre, por dhe se nuk do të lejojë shkelje të ligjit, por vetëm gjykim të drejtë. “Ekzistojnë beteja të komplikuara”, tha Orban, duke shtuar se të gjitha janë pjesë të drejtësisë.
Ish kryeministri Gruevski të martën në Hungari fitoi azil politik. (Rexhep Qamili, TVM2)
