Selanik, Dimitrov në takim me ministrat e rajonit

23.11.2018 17:18

Maqedonia është përcaktuar për ndërtimin e marrëdhënieve të mira politike me fqinjët.....

Maqedonia është përcaktuar për ndërtimin e marrëdhënieve të mira politike me fqinjët, ka thënë ministri i punëve të jashtme, Nikolla Dimitrov, në takimin e katërt mes shefave të diplomacive të Maqedonisë, Shqipërisë, Greqisë dhe Bullgarisë, që u mbajt në Selanik.

Duke folur për përcaktimin e Maqedonisë në ndërtimin e fqinjësisë së mirë, Dimitrov ka sqaruar aktivitetet që ka ndërmarrë vendi si kontribuues në hapat e përbashkëta në sigurimin e stabilitetit dhe prosperitetit rajonal.

Dimitrov ka shtuar se bashkëpunimi mes këtyre shteteve është në të mirë të shoqërive dhe se u ndihmon edhe shteteve, por edhe Evropës në tërësi. Për këtë, Dimitrov ka thënë se nevojitet kontribut i të gjitha shteteve rajonale për t’i përputhur interesat.

“Bashkëpunimi ynë në rajon është në dobi të shoqërive. Nëse do të mundnim t’i dakordojmë interesat tona, kjo do të na ndihmonte ne, por do t’i ndihmonte edhe Evropës”,- tha Dimitrov. 

Nga MPJ thonë se Dimitrov ka realizuar takime të ndara me ministren e jashtme të Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva, si dhe me ministrin alternativ të punëve të jashtme të Greqisë, Xhorxh Katrugallos, me të cilët ka biseduar për bashkëpunimin ekonomik, projektet e përbashkëta mes vendeve si dhe për hapat e mëtutjeshëm në procesin eurointegrues.

Përveç ministrave për punë të jashtme, në takim në Selanik kanë marrë pjesë edhe ministra dhe përfaqësues të lartë të ministrive të ekonomisë të katër vendeve. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)