Tolksford: Investoni në arsim, që të vijnë kompanitë gjermane
Kompanitë e Gjermanisë e shohin Maqedoninë si treg të volitshëm....

Kompanitë e Gjermanisë e shohin Maqedoninë si treg të volitshëm, por druajnë për shkak të mungesës së kuadrit profesional, vlerësojnë përfaqësues të Ministrisë gjermane të Ekonomisë. Në mënyrë që të rritet numri i investimeve gjermane në Maqedoni, duhet fillimisht të investohet në arsim. Këtë synim ka edhe formimi i Komitetit Drejtues për Bashkëpunim Maqedoni-Gjermani, përmes së cilës duhet të rritet bashkëpunimi ekonomik në mes të këtyre dy shteteve.
“Ka shumë interes të kompanive gjermane që të kyçen në vendin tuaj. Ajo është një sfidë për të gjithë ne, por duhet më shumë të investojmë në arsimin, me qëllim që të sigurojmë ambient të përshtatur për investimet”,- tha përfaqësuesi i Ministrisë së Ekonomisë të Gjermanisë, Hellge Tolksford.
ANGJUSHEV: SYNOJMË RRITJEN E PLASMANIT NË TREGUN GJERMAN
Formimin e komitetit zëvendëskryeministri Angjushev e sheh si mundësi prej së cilës do të mundohen të arrijnë rezultate maksimale. Shkëmbimi i praktikave me shtetin gjerman do të jetë shumë të frytshme për ekonominë e vendit, vlerëson Angjushev.
“Do të sigurojmë që sa më shumë prodhime të Maqedonisë të plasohen në tregjet e Gjermanisë, që sa më shumë prodhime gjermane, teknologji, know-how, të vijnë në Maqedoni, të kemi sa më shumë investime gjermane në shtetin tonë. Gjithashtu do të punojmë në sferën e përmirësimit të infrastrukturës dhe në sferën e arsimit, ku do të mundohemi t’i marrin praktikat pozitive gjermane në aspektin e punës praktike”,- u shpreh zëvendëskryeministri, Koço Angjushev.
Deri më tani Gjermania ka formuar katër komitete të këtilla në rajon me qëllim të lidhjes së bizneseve dhe institucioneve për bashkëpunim më të madh ekonomik. (Ersan Pajaziti, TVM2)
